Berisha: Shtetësi për çdo shqiptar kudo ndodhet. Kush ka frikë nga vota e tyre, është albanofob
Shpërthim nacionalist i kryeministrit në largim: Kush nuk do votën e shqiptarëve, është shqiptar i denatyruar.
Berisha premton se do ketë vendim që është arvanitasit dhe arbëreshët të marrin shtetësinë. Akuza ndaj Greqisë: 10 përqind e popullsisë janë shqiptare dhe nuk ka asnjë emision shqip në media
Kryeministri në detyrë, Sali Berisha, po bën realitet një projekt të tijin, atë që çdo shqiptar në mbarë botën të marrë nënshtetësinë, përveç shtetasve të Kosovës, të cilët janë në proces me Bashkimin Europian për liberalizimin e vizave.
Berisha madje tha se mund tu jepet shtetësia edhe arvanitasve dhe arbëreshëve, por akoma nuk është marrë një vendim i tillë.
Berisha tha se ata që kanë frikë nga vota e shqiptarëve janë albanofobë.
Dua të kërkoj ndjesë për vonimin, pasi bashkëkombësit më kanë kërkuar në mënyrë të përsëritur. Por e bllokova këtë që të mos ketë asnjë interferencë me zgjedhjet. Doja që të ishte një proces themelor. Për zgjedhjet e ardhshme, ata që frikë nga vota e tyre, ekziston rregulli i proporcionimit. Si të bien dakord forcat politike. Frika nga vota e shqiptarëve është forma më e egër e albanofobisë. Ai që ka frikë nga vota e qytetarëve me origjinë shqiptare, ai është albanofob, është shqiptar i denatyruar, tha Berisha duke shtuar se Silvio Berluskoni humbi zgjedhjet për shkak të votave të italianëve në Argjentinë.
Është një vendim, i cili u bllokua për më shumë se katër muaj për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare. Ky vendim ka të bëjë me njohjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë shqiptarët, me përjashtim të shtetasve të Kosovës, pasi janë shtetas të një shteti të pavarur. Kjo nuk mund të bëhet pa marrëveshje mes dy qeverive. Kosova tani është në një proces shumë të shëndetshëm pas firmosjes së marrëveshjeve me Serbinë, marrëveshje historike për rajonin në tërësi. Ky vendim e shtrin efektin e tij për të gjithë shqiptarët që jetojnë në hapësirën e Shengenit, në hapësirën me marrëdhënie vizash të njëjta me zonën e Shengenit. Pra, me këtë akt, Shqipëria është vendi i fundit që u ofron bashkëkombësve të vet, atë që të tjerët ia kanë ofruar vite e vite më parë në rajon. Ky akt nuk duhet të konsiderohet nga askush si një akt tjetër veçse në interesin më të mirë të shqiptarëve, të paqes dhe stabilitetit, tha Berisha.
Më pas kryeministri tha se e dinte se kosovarët do lëndohen nga ky vendim.
E vërteta është se ligji i këtyre, apo ligji ekzistues parashikon marrjen e vetvetishme të nënshtetësisë, por nuk u përcaktuan asnjëherë procedurat. Të drejtën për aplikim për shtetësi shqiptare do e kenë të gjithë shqiptarët me përjashtim të atyre me banim në Republikën e Kosovës.
E di që qytetarët e Kosovës do lëndohen nga ky vendim, por u kërkoj mirëkuptimin e tyre, pasi është interesi i tyre jetik që problemin e vizave me BE ta zgjidhin në respekt të plotë të udhërrëfyesit që Brukseli u ka dorëzuar autoriteteve të Kosovës për liberalizimin e vizave, tha Berisha.
Jam i bindur se ky vendim do i shërbejë forcimit të mirëkuptimit, të bashkëpunimit me vendet fqinje. Jam i bindur se ky vendim është i drejtë dhe tepër i vonuar.
Këtë vendim e kam dekretuar që në vitin 1992. Dekreti presidencial në atë kohë përfshinte edhe Kosovën. Ata që bërtasin se do na zbrazen trojet, le të marrin dhe të shohin se sa shtetësi u kërkuan pas dekretimit në vitin 1992.
Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme, duhet të marrin të gjitha masat që të instalojnë me datën 1 gusht, në të gjitha pikat e parashikuara në këtë vendim, shërbimin për aplikimin e qytetarëve me origjinë shqiptare për fitimin e shtetësisë shqiptare, tha Berisha.
Kryeministri premtoi se do ketë një vendim për marrje nënshtetësie edhe nga arvanitasit dhe arbëreshët.
Nuk marrin përgjigje nga ky vendim arvanitasit dhe arbëreshët, por ky është një proces në vazhdim. Nuk mund tu mohohet atyre, por tani për tani vendimi parashikon këto.
Ata kanë shekuj që japin një kontribut të madh historik në këto vende mike. Shqipëria, mendoj unë, duhet të përpiqet që të mbështesë ato. Apo diaspora në Turqi, që është dy herë më e madhe se popullsia në Shqipëri. Ne duhet ti mbështesim që të ruajnë gjuhën, kulturën, identitetin e tyre, tha Berisha.
Në Greqi 10 përqind e popullsisë janë shqiptarë dhe mediat greke nuk kanë edhe asnjë emision në shqip, tha Berisha duke shtuar se kur drejtonim Këshillin e Europës, ai u përpoq shumë që në radiot turke të kishte emisione për shqiptarët.
Por kjo nuk ndodhi. Kur një futbollist tha se jam shqiptar, pati një valë të pandershme kundër tij, tha Berisha./ep