E Diel, 1 Nëntor 2026

INTERVISTA/ Moisiu: Këto zgjedhje i dhanë fund tranzicionit. PD nuk humbi, pësoi disfatë

alfred_moisiuKëto ishin zgjedhjet më të mira që kemi realizuar ndonjëherë. Berisha, ashtu si Nano, bën mirë të tërhiqet nga politika dhe ti hapë rrugën riformatimit të PD-së. Ndërsa për Edi Ramën si Kryeministër, sfidat sapo kanë filluar. Intervistë e ish Presidentit të Republikës, Alfred Moisiu

Nga Renato Kalemi, Revista KLAN

Përpikmëria prej ushtaraku e ka veçuar gjithmonë Presidentin Alfred Moisiu. Trokasim në derën e zyrës së tij, pranë ambasadës Amerikane, tre-katër minuta përpara orarit të caktuar të intervistës dhe ai ndodhet aty. Ngrihet në këmbë me një energji të çuditshme për një 83 vjeçar dhe me pamjen e një burri babaxhan na rrok fort dorën. Eshtë po i njëjti, dashamirës dhe mikpritës me gazetarët, i gatshëm të të japë përgjigje për çdo pyetje që mund të kesh. Gjatë intervistës dikush e ndërpret në telefon: Ende i kërkojnë këshilla se si do të kishte vepruar ai po të kishte qenë Kryetar Shteti në një situatë të caktuar. E ai i përgjigjet shtruar, përpara se të lëshojë një të qeshur të fortë gjoksi, tipar i veçantë për burrat shtatlartë. Pastaj, e ka të kollajtë ta kapë fjalën aty ku e la, shenjë e një kujtese ende të fortë. Ndihet i çliruar sepse sipas tij, më në fund Shqipëria sapo mbylli zgjedhjet më të mira që ka realizuar ndonjëherë që nga viti 1992.

- Zoti President, procesi zgjedhor i 23 qershorit ishte një ngjarje që pritej me shumë interes, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga ndërkombëtarët. Nga ecuria e tij duket se varet marrja e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë në BE. Ju personalisht si i konsideroni këto zgjedhje, qoftë gjatë fushatës, në ditën e votimit dhe numërimin e votave? A i plotësuan ato standardet e kërkuara?

Këto zgjedhje ishin nga më të mirat që kemi pasur në këto vite, përjashtuar ato të vitit 1992, të cilat vërtet kanë qenë të mira. Atë që nuk e shpjegonim dot, pse ka ndodhur ky përkeqësim i zgjedhjeve tona ndër vite, tani e korrigjoi vetë populli shqiptar; një popull i zgjuar, i cili nuk i pranoi më vicklat e politikës dhe doli kundër teorisë makiaveliste që përdorte politika shqiptare, se i rëndësishëm është qëllimi dhe jo mjeti. Pikërisht, populli ua tha fort dhe hapur se për ne është qëllimi në radhë të parë, ndërsa mjetet mbajini për vete; se ne duam që Shqipëria të shkojë realisht në Bashkimin Europian. Mendoj se këto zgjedhje e realizuan plotësisht këtë qëllim.

Sigurisht, zgjedhjet patën edhe një ngjarje shumë të hidhur. Vrasja e një militanti të LSI-së pranë një qendre votimi në Laç ishte një shenjë jo e mirë, një njollë për procesin. Me këtë rast dëshiroj ti shpreh ngushëllimet e mia familjes së të ndjerit dhe qoftë kjo viktima e fundit për arsye politike në vendin tonë. Mbarëvajtja e zgjedhjeve tregoi se populli e kishte ndarë mendjen dhe shqiptarët treguan se nuk janë aq të fjetur sa duken, kur vjen puna për të mbrojtur interesat e tyre. Ata durojnë, por kur shpërthejnë, nuk mbahen më. Rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk do ti konsideroja humbje, por një disfatë e ish mazhorancës. Ishte një disfatë e imponuar nga populli dhe e papritur për të gjithë. Por mos harrojmë se zgjedhjet nuk janë gjithshka, këto janë vetëm fillimi për të merituar integrimin europian.

- Që në ditën e parë të numërimit të votave u vu re tendenca se e majta i kishte fituar këto zgjedhje dhe me një rezultat shumë herë më të thellë nga sa ata vetë e prisnin. Pse mendoni se erdhi ky rezultat, kur e majta arriti mandatin e 84-rt? Fitorja i atribuohet dyshes Rama-Meta apo keqqeverisjes së PD-së në këto 8 vjet?

Fitorja i atribuohet popullit, zgjedhësit shqiptar. Ai e mori vendimin dhe kjo tregon se shfaqi të gjithë pakënaqësinë e tij ndaj mashtrimeve dhe keqmenaxhimit të shtetit shqiptar nga kryeministri Berisha. Pasi gjatë fushatës, po të krahasojmë programet e dy forcave politike, nuk kishte asgjë të qartë në to. Kishte premtime pa fund, që rriteshin nga dita në ditë, të cilat unë personalisht i shoqëroja me një buzëqeshje sepse nuk e kuptoja se ku ishte baza ekonomike dhe financiare e këtyre premtimeve. Është kollaj të bësh një premtim, pa treguar bazën për ta mbajtur dhe realizuar atë.

Kjo ishte një revoltë e shqiptarëve ndaj një ashpërsie të ushtrimit të pushtetit nga ana e ish mazhorancës, ndaj autokracisë së saj, të cilën njerëzit nuk e duronin dot më. Arsyet janë shumë, duke filluar që nga papunësia dhe mashtrimi që bëhej me të. Sado që të mashtrosh, njerëzit e kanë në kurriz mungesën e punës sepse skanë të ardhura. Blerjet me listë janë shtuar deri edhe këtu në Kryeqytet, e jo më në fshatrat e largëta. Mungesa e sigurisë; njerëzit nuk dilnin dot lirshëm në rrugë sepse kishin hall se mos u vidhnin çantën apo bizhuteritë në mes të kryeqytetit. Korrupsioni erdhi e u bë galopant. Mund ta them pa e ekzagjeruar, duke përdorur një formë metaforike, se nëse qeveria Nano ndërtoi një shkollë fillore të korrupsionit, qeveria Berisha ngriti shkollën e mesme dhe fakultetin e korrupsionit. Por, më e keqja është se asnjë nga ata që ishin përgjegjës për këtë korrupsion, nuk doli para drejtësisë. Populli thotë: Peshku qelbet nga koka. E të tjera gjëra që të gjithë i dimë.

- Rezultati i këtyre zgjedhjeve duket se është rezultati më plebishitar që një forcë politike arrin në këto 22 vjet demokraci, sigurisht pa përfshirë procesin e njollosur të 1996-ës. Në këndvështrimin tuaj, a mund të quhet se 23 qershori solli mbylljen e një epoke në Shqipëri?

Po. Kjo është e vërtetë. Me këtë rezultat plebishitar që u arrit, 23 qershori nuk qe një humbje, por disfatë për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj. Mendoj se kjo i ka dhënë fund tranzicionit në Shqipëri, gjatë të cilit ne kemi bërë gjithmonë një hap para dhe tre hapa mbrapa. Dy personazhet kryesore që kanë kryesuar politikën shqiptare gjatë këtyre viteve, Fatos Nano dhe Sali Berisha, të cilët sipas meje mbajnë përgjegjësinë kryesore të kësaj zvarritjeje, dolën nga skena. Nano doli në vitin 2005, ndërsa Berisha duket se nuk e lexoi mirë këtë, madje iu krijua euforia sikur do të qëndronte edhe 30 vjet në pushtet. Me këtë rast, largimi i tij si politikani i fundit i viteve 90 mendoj se ka sjellë mbylljen e një epoke. Duhet thënë se në gjithë Rajonin e Ballkanit, vetëm në vendin tonë ende qëndronin në poste drejtuese politikanë të viteve 1990. Tani jemi në një fazë të re, të ardhjes në pushtet të rinisë (në kuptimin figurativ) dhe të mendimit qytetar. Në vendet

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›