Sequi: Besojmë se do ketë tranzicion të qetë. Meta: Do përfshijmë edhe opozitën në reformat tona
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, ishte në një takim me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Pas takimit, Sequi tha se besojnë se do ketë tranzicion të qetë të pushtetit. Ai shtoi se janë shanset për të marrë statusin kandidat në dhjetor.
Së pari unë dëshiroj të them se erdha në zyrat e LSI-së për të uruar z. Meta për fitoren e madhe në zgjedhje. Gjithashtu, edhe për të falënderuar atë për rolin e tij në promovimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Është e vështirë që të mos bie dakord me fjalët aq elokuente që përdori z. Meta, sepse kjo është pikërisht ajo që në presim nga Shqipëria në mënyrë që të ecet përpara me sukses në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Pas këtyre zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të qetë drejt pushtetit në mënyrë që të përqendrohet puna te axhenda e reformave të cilat janë të nevojshme për Shqipërinë. Jam veçanërisht i kënaqur nga përdorimi i fjalës gjithëpërfshirje dhe që është një fjalë kyçe. Sepse procesi i integrimit në Bashkimin Evropian është një proces i cili përfshin të gjithë vendin. Pikërisht nga ato elementë që përmendi edhe z. Meta. Të gjitha mundësitë për të marrë statusin e vendit kandidat janë aty për Shqipërinë dhe kemi besim se kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri, tha Sequi.
Kurse Meta tha se mazhoranca do e përfshijë edhe opozitën në reformat që do të ndërmarrë.
Ishte kënaqësi për të takuar sot Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Tiranë, z. Ettore Sequi dhe për të ndarë disa vlerësime për zgjedhjet e 23 qershorit. Me këtë rast unë shpreha falënderimet më të përzemërta për angazhimin e tij dhe për angazhimet e Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian, të Parlamentit Evropian, i cili ishte mjaft aktiv për monitorimin e zgjedhjeve. Sepse dihet që këto zgjedhje ishin një moment kyç për të ardhmen e statusit kandidat në Bashkimit Evropian të vendit tonë dhe unë besoj se falë shpirtit evropian të qytetarëve tanë këto zgjedhje dhanë një mesazh të qartë për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit evropian të vendit ndaj dhe e garantova ambasadorin Sequi se do të vazhdojmë të punojmë akoma më shumë dhe akoma më ngushtë për të çuar përpara të gjitha reformat që shpejtojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Pak javë më parë ne arritëm me konsensus në parlament gjatë fushatës elektorale të miratojmë tre ligjet edhe pse me vonesë. Tani besoj se është e gjithë mundësia për të krijuar një klimë me themele të qëndrueshme dhe afatgjata të bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes midis mazhorancës së re dhe opozitës së re. Është mundësia për të përfshirë në këtë proces reformash edhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë sonë, shoqërisë civile, grupet e interesit, qarqet akademike dhe universitare në mënyrë që këto reforma të fitojnë një temp të ri, por edhe të gëzojnë një konsensus sa më të gjerë shoqëror dhe politik, tha Meta./ep