E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sistemi bankar në Shqipëri, histori suksesi

I pranishëm në ceremoninë e përurimit të zyrave të reja të një banke gjermane, në zonën e Laprakës, Kryeministri Berisha theksoi se "ky është një investim i rëndësishëm jo vetëm për sistemin bankar shqiptar, por dhe për vendin në tërësi, pasi është investimi më i madh i këtyre 20 viteve të fundit që sistemi bankar bën për veten e tij".

"Kjo ndërtesë e bukur e funksionale inaugurohet në 10 vjetorin e suksesit të Procedit Bank", tha Kryeministri Berisha, duke shtuar se "simbolikë të madhe ka dhe fakti që inaugurohet pas fitores së dytë të Kancelares Angela Merkel në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare". Kjo fitore, nënvizoi Kryeministri Berisha, "është shpresëdhënëse jo vetëm për Gjermaninë, por dhe Evropën, pasi kombi gjerman votoi për reformat jetike dhe përcaktuese për mbarë ekonominë evropiane".

Në këtë konteks, Kryeministri Berisha, i shprehu mirënjohje të thellë Kancelares Merkel, Qeverisë gjermane dhe kombit gjerman për ndihmën e çmuar që gjatë këtyre viteve i kanë dhënë Shqipërisë.  “Institucionet financiare gjermane kanë qënë institucionet kryesore financiare të kreditimit të Shqipërisë dhe ndihma direkte gjermane është shtrirë në 100 projekte në të katër anët e vendit, në mbështetje të nevojave të qytetarëve shqiptarë", tha Kryeministri Berisha. 

Në ceremoninë e përurimit të zyrave të reja të Procredit Bank merrnin pjesë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, si dhe ekspertë nga sektori bankar dhe i ekonomisë në vendin tonë.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›