E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Sivjet Shqipëria pret më shumë turistë se që ka banorë

Tiranë, 18 gusht - Në kulm të sezonit turistik, qeveria e Shqipërisë diskutoi për buxhetin e vitit të ardhshëm, duke marrë një porosi të posaçme nga kryeministri: secila ministri duhet ta hartojë buxhetin e vet në funksion të fuqizimit të kapaciteteve turistike të vendit.
Kjo bëhet nën nxitjen e shifrave, që sipas kryeministrit e kanë shndërruar turizmin në një nga degët kryesore të ekonomisë, raporton Top Channel.
"Këtë vit rritja e vizitorëve krahasuar me vitin 2004 mund të arrijë në 12 herë. Ky do të jetë viti i parë, në historinë  e këtij vendi, që Shqipëria ka pritur më shumë vizitorë, se çka banorë brenda saj.
Kryeministri renditi arsyet e këtij bumi turistik, që sipas tij janë çmimet e ulta të hotelerisë, shërbimi cilësor dhe ushqimet e shijshme. Për ta ilustruar këtë, u ndal në një rrëfim të shkrimtarit francez Andre Gide, që në fillim të shekullit XX vizitonte territoret e ish-perandorisë otomane:
"Në një udhëtim që ka bërë në Perandorinë otomane, Andrè Zhid (Gide) shkruajti për vendin tonë: “aty gjeta dy gjera më impresionuese, njëra ishte ushqimi i shijshëm dhe tjetra ishin burrat e bukur.” Kur e lexova për herë të parë, shumë e shumë vite me parë, mendova se shqiptarët nga fanatizmi nuk i kishin nxjerrë gratë, kur u thellova me tej zbulova se ai kishte qenë gej", tha Berisha.
Mes ilaritetit dhe batutave, kryeministri lëshoi në fund një lajm të mirë për të tërë banorët përgjatë aksit Lushnjë-Berat: pavarësisht ndërtimit të aksit të Jugut, rruga nga Lushnja në Berat, aktualisht në një gjendje të mjerë, do të rindërtohet, përshkak se Berati bën pjesë në trashëgiminë kulturore të UNESCO-s.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›