Berisha: Ska rritje, do të ulim taksat për biznesin

Kryeministri Berisha gjate nje konference per shtyp
Qeveria do të vijojë të lehtësojë barrën fiskale të biznesit, duke e nxitur atë për të investuar përmes krijimit të kushteve më të mira dhe lirisë ekonomike.
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, bëri këto deklarata dje gjatë konferencës së organizuar me investitorët nga Shoqata e Investitorëve të Huaj. Edhe një herë, Berisha ka shprehur qëndrimin e tij kundër takës progresive, duke i faturuar kësaj mënyre taksimi një pjesë të fajit për krizën. Sipas tij, Shqipëria nuk do të shkojë në këtë drejtim, por në anën e kundërt. Kjo krizë nuk erdhi në një botë me taksa të ulëta. Kjo krizë erdhi në vendet me taksa të larta. Ndaj ne nuk kemi ndërmend ti rrisim taksat, e kundërta, ne po mendojmë të ndërmarrin hapa të tjerë për të lehtësuar barrën fiskale ndaj jush, për të zgjeruar lirinë tuaj fiskale dhe ekonomike. Ne besojmë se të gjitha resurset e mëdha që kemi janë të çmuara, por më e çmuar se çdo gjë tjetër për zhvillimin e këtij vendi është liria juaj, dhe ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për konsolidimin e zgjerimin e saj, theksoi Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, ai iu referua edhe një nisme të fundit që mori qeveria shqiptare, siç ishte ajo e taksimit zero për importin e makinerive të prodhimit. Shqipëria ka vendosur regjimin fiskal më të favorshëm. Këto javë vendosëm të heqim çdo lloj takse për makineritë që do të importohen për prodhim. Do të ketë një procedurë burokratike që garanton instalimin e tyre në fabrikat për të cilat destinohen, dhe jo të shndërrohen në destinacione të tjera, por investitori nuk do të ketë asnjë lloj detyrimi, TVSH-je apo të tjera, tha ai.
Investimet
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se në vitet e fundit investimet e huaja direkte në vendin tonë kanë njohur rritje të jashtëzakonshme. Në shifrat e cituara prej tij, rezulton që në 5 vjet rritja të ketë qenë e lartë, kjo krahasuar edhe me rajonin. Shqipëria, në këtë rajon, nga vitin 2006-2011 ka shënuar një rritje prej 316 për qind të investimeve të huaja, sipas UNCTAD-it, nga viti 2006-2011 ka trefishuar eksportet, tha ai.
Basha: Gati Plani Urbanistik i Tiranës, në maj nis konsultimi
Ne presim që në dy javët e para të majit të shpalosim draftin e detajuar të Planit Rregullator të Tiranës para Grupit Strategjik, për një vendimmarrje të parë, që do ti hapë rrugën një procesi konsultimi me publikun në muajin maj, qershor e korrik dhe një vendimmarrje përfundimtare të strukturave, që është Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe Këshilli Kombëtar i Territorit, jo më vonë se shtatori i këtij viti. Kreu i Bashkisë së Tiranës tregoi dje se premtimi i fushatës duket se do të bëhet realitet pas pak ditëve. Më tej Basha shtoi se ndërsa ky proces ka ecur me një shpejtësi të madhe, i afrohet fundit, një proces tjetër do të nisë së shpejti, ai i hartimit të planeve të detajuara për pjesë të veçanta të qytetit. Kreu i Bashkisë theksoi se metodologjia që u zgjodh ishte ajo e përfshirjes së të gjithë aktorëve të shoqërisë, botës akademike, profesionistëve, grupeve të interesit, natyrisht, edhe të vetë qytetarëve. Kjo ka qenë një punë voluminoze, me sfida të parashikueshme dhe të paparashikueshme, por falë dedikimit e përkushtimit të grupit të punës, mbështetjes së plotë qytetare, mund të them me krenari, dhe jo pa njëfarë surprize, se premtimi ynë fillestar, për ti dhënë qytetit planin që mungonte për 20 vjet, brenda një viti, është shumë afër realizimit.
FATION BINJAKU