Topi: Qarqet nacionaliste përkeqësojnë klimën në rajon

Presidenti Topi me homologun maqedonas, Ivanov
Presidenti, vizitë zyrtare në Shkup: Çdo akt kriminal, i dënueshëm.
Presidenti Bamir Topi ka nisur dje paradite vizitën në Maqedoni, me takimin me homologun e tij, Gjorgje Ivanov. Pas ceremonive të rastit, krerët e shteteve zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë e më pas mes dy delegacioneve. Në përfundim të takimit, Topi e Ivanov dolën në një konferencë për shtyp, ku ata u ndalën te incidentet etnike në vendin fqinj. Presidenti shqiptar tha se çdo refleks nacionalist apo ultranacionalist, dhe aq më shumë në një klimë paragjykuese, do të ishte shumë e dëmshme për harmoninë midis qytetarëve shqiptarë dhe maqedonas dhe për harmoninë në rajon. Çdo klimë paragjykuese është e papranueshme. Në rast se shteti, institucionet, së bashku do të punojmë që drejtësia të vendoset, çdo akt kriminal, cilido qoftë pas atij akti, është i dënueshëm. Unë do ta falënderoj Presidentin Ivanov gjithashtu edhe për krijimin e një mundësie për bashkëpunim midis të gjitha vendeve të rajonit, që me gjithë përparimin substancial që ka bërë, sidomos pas pavarësimit të Kosovës në shkurt 2008, ende ka qarqe të izoluara ultranacionaliste që tentojnë ta përkeqësojnë këtë klimë. Unë mendoj që projektimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt botës euroatlantike është një përcaktim i pakthyeshëm, u shpreh Topi. Ndërsa homologu i tij, Ivanov, theksoi: Është në interesin e të gjithëve që të zbulohen kryerësit e kësaj vepre, sepse nëse ata kanë gjetur guximin që atë ta bëjnë këtu, pa dyshim që mund ta bëjnë edhe në ndonjë vend tjetër. Dhe është e qartë se dikush nuk ka interes që marrëdhëniet në rajon të përmirësohen në çdo fushë. Presim që institucionet përkatëse të kryejnë punën e tyre dhe presim që qytetarët të mos të bien pre e spekulimeve të ndryshme, të cilat ndodhin në raste të tilla. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Topi tha nacionalizmi duhet shmangur edhe në fushat e sportit. Duke iu referuar disa rasteve të shfaqura në vendin fqinj ai tha se të gjithë jemi tifozë sporti dhe sporti ka një rregull të artë, ai që merret me sport natyrisht që është një njeri i lirë dhe një njeri i formuar. Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. Dhe ai që ka një trup të shëndoshë ka dhe një mendje të shëndoshë, pra ambientet sportive të mos shfrytëzohen për kore nacionaliste. Sporti e lidh miqësinë, pra ky duhet të jetë mesazhi për cilindo, që ta shoh vetën të projektuar si një qytetar i vërtetë evropian.
Takimet
Gjatë qëndrimit në Maqedoni, Presidenti Bamir Topi zhvilloi takime me liderët e vendit fqinj. Pas takimit me Ivanovin, ai bisedoi me liderin e opozitës, ish-presidentin Branko Cërvenkovski, me kryetarin e Kuvendit maqedonas, Trajko Veljanoski dhe me Kryeministrin Nikolla Gruevski.
Nënkryetari i KLD, Topi: Se kam shkelur Kushtetutën
Nga Shkupi, ku zhvilloi takime me krerët e shtetit maqedonas, Presidenti Bamir Topi u ndal edhe në debatin politik në Tiranë. Megjithëse ishte i rezervuar në ato që do të thoshte për shkak se ishte në një vend tjetër, kreu i shtetit iu përgjigj akuzave të Kryeministrit Berisha për shkelje të Kushtetutës kur propozoi një gjyqtar për postin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. I pyetur në konferencën për shtyp me Presidentin Ivanov lidhur me deklaratat e kreut të qeverisë, Topi tha se unë nuk dëshiroj të lëndoj asnjë gazetar, i cili është në të drejtën e tij për të pyetur, kështu që duke ju respektuar në pyetjen që bëni, po jap vetëm pjesën e përgjigjes që ka të bëjë me ushtrimin e funksionit tim, që Presidenti i Republikës në të gjithë veprimtarinë e tij nuk ka bërë asnjë shkelje kushtetuese. Do ta shikoni më vonë që përgjigjja ime është ezauruar pikërisht në këtë pikë. Çdo komunikim tjetër që mund të bëhet me ju, ta bëjmë kur të jemi në Shqipëri. Tri ditë më parë, në një konferencë për shtyp, kreu i qeverisë e akuzoi ashpër Presidentin se ka shkelur Kushtetutën lidhur me nënkryetarin e KLD-së.
ADI SHKEMBI