Kërkoheshin nga Italia, 4 të arrestuar në Durrës

Foto Ilustruese
TIRANE- Katër persona të kërkuar nga drejtësia italiane, për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikut të drogës janë kapur nga policia e Durrësit.
Shtetasit e arrestuar janë, Andi Agasi, 37 vjeç, banues në Durrës, ndaj të cilit autoritetet gjyqësore të Catanzaros kanë lëshuar urdhër-arrestin më datë 11 korrik 2005 për veprën penale të trafikimit të narkotikëve. Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Arezzos me 20 vjet burg.
Gëzim Lila, 46 vjeç, banues në Xhafzotaj. Gjykata e Catanzaros Itali ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin më 2 nëntor 2005 për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe shfrytëzimit në formën e skllavërisë.
Roland Domi, 42 vjeç, banues në Durrës, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Ndaj tij, autoritetet gjyqësore të Xhenovës në Itali kanë lëshuar urdhër-arrestin për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Dënimi maksimal i parashikuar për këtë vepër është 24 vite burgim.
Ilir Dervishi, 40 vjeç, banues në Sukth Durrës, i shpallur në kërkim nga Interpol Roma, pasi ndaj tij autoritetet gjyqësore të Xhenovës në Itali, kanë lëshuar urdhër-arrestin për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas policisë pas kryerjes së procedurave të nevojshme këta shtetas do ti dorëzohen autoriteteve italiane të drejtësisë.