E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha TAP projekti me interesin me te madh ekonomik

Projekti TAP mbetet projekti më fizibël, më i detajuari  nga pikëpamja teknike dhe me interesin më të madh ekonomik  për rajonin dhe për Europën.

Ky ishte qëndrimi që ritheksoi dhe një herë tjetër Kryeministrit Berisha gjatë takimit që zhvilloi në Mynih me të dërguarin e posaçëm dhe koordinator për çështjet e energjisë ndërkombëtare në Departamentin e Shtetit në SHBA, ambasadorin Carlos Pascual. 
Madje, në vlerësimin e kreut të qeverisë shqiptare ky projekt që gëzon tashmë një mbështetje të gjerë politike e të gjithanshme në rajon e më gjerë. Për këtë arsye, Kryeministri Berisha e falenderoi përzemërsisht për mbështetjen që SHBA dhe qeveria amerikane i ka dhënë në vijimësi  diversifikimit të burimeve të energjisë dhe projekteve që do të bëjnë të mundur furnizimin me gaz natyror të rajonit si një burimi jashtëzakonisht efikas dhe i qëndrueshëm i energjisë  dhe një faktor madhor për zhvillimin e modernizimin e ekonomive të tyre, por edhe rritjes së mirëqenies së popujve të tyre. Nga ana e tij,  zyrtari i Departamentit të Shtetit Carlos Pacual theksoi se “qeveria amerikane beson fuqishëm që vendet e rajonit dhe popujt e tyre duhet të kenë akses në furnizimin me gaz si një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”.
Madje, në këtë kontekst, koordinatori për çështjet e energjisë në DASH i mëshoi faktit se “SHBA mbështet fuqishëm zhvillimin e projekteve që do të sjellin gaz natyror nga fushat e Shah Deniz si një hap shumë i rëndësishëm për diversifikimin e burimeve të energjisë në Europë, çka do të përbëjë një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv për Europën dhe Rajonin”.
Njëkohësisht, i dërguari i posaçëm dhe koordinatori i qeverisë së SHBA për energjinë ndërkombëtare Carlos Pasqual e siguroi kryeministrin Berisha se, një material i përgatitur nga stafi i një senatori nuk shpreh aspak qëndrimin zyrtar të qeverisë amerikane dhe theksoi se, qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm projektin që do të përzgjidhet përfundimisht për transmetimin e gazit nga Shah Deniz.
Këtë takim, kreu i qeverisë shqiptare e zhvilloi gjatë qëndrimit në Mynih, ku mori pjesë në Konferencën e 49-të  të Sigurisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›