Berisha: TVSH-ja e prodhimeve bujqësore nuk do të hiqet. Rama: Saliu gënjen
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar qartë se nuk mund të ketë heqje të TVSH-së për prodhimet bujqësore ashtu siç propozon opozita. Në vazhdimësinë e turit të tij të inagurimeve , kësaj radhe nga Lapadhaja e Beratit ku inaguroi një aks rrugor, Berisha ka sulmuar sërish kreun e opozitës Edi Rama se po përpiqet të bllokojë reformat e rëndësishme për vendin. Sipas Berishës propozimi nga opozita për heqjen e TVSH-së s`do të thotë as më shumë as më pak se falimentim i bizneseve.
Nuk do të pranojmë heqjen e TVSH-së. Sepse me këtë vendim ata duan të rrisin të ardhurat e tyre. Kërkesa vjen për të rritur klientelat e tyre , por fatmirësisht ky ligj nuk kërkon 3/5 e votave.Rama është një politikan që shkon nga disfata në disfatë. Opozita duhet ta ketë të qartë se nuk mund të bllokojë zhvillimin e vendit është shprehur kryeministri ndërsa ka theksuar se të gjithë ata që përpiqen të ndalin progresin dhe zhvillimin e vendit do të marrin përgjigjen e merituar.
Gjithashtu kryeministri Berisha ka premtuar qeveria do të asfaltojë rrugët e Shqipërisë dhe se nuk do të ndalet në miratimin e ligjeve integruese për realizimin e ëndrrës evropiane.
Pas deklaratës së kryeministrit Berisha për kundërshtimin e heqjes së TVSH për prodhimet bujqësore, reagoi kryesocialisti Edi Rama duke thënë se kryeministri gënjen.
Në një koment të tij në Twitter ai u shpreh: Jo Sali, ti gënjen! Do heqim taksën e bukës, qumështit, vezëve, ilaçeve, jo TVSH e produkteve të tokës në fshat. Fshatit do t’i heqim TVSH e imputeve bujqësore, sepse fshati po mbytet dhe s’e shpëtojnë dot shiritat e inaugurimeve.
Një ditë më parë kryeministri Berisha ishte në një tjetër inagurim në Tropojë.