Berisha: Taksa progresive, donkishotizëm i Edi Ramës – synon shuarjen e qindra e mijërave vendeve të punës
Kryeministri viziton panairin “Punë dhe Studim”: Ekonomia shqiptare gjeneron vende pune dhe rritje ekonomike
Akuza e Kryeministrit: Edi Rama arkitekti i monopoleve në Bashkinë e Tiranës
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se taksa progresive, apo e quajtur ndryshe si taksa e Marksit, që udhëton si doktrinë e socialistëve nëpër Shqipëri, është donkishotizëm dhe matematikë kokëposhtë e kryesocialistit Edi Rama, që synon shkatërrimin e vendeve të punës. Gjatë vizitës në panairin “Punë dhe Studim” (Ëork and Study), një iniciativë e përbashkët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, kryeministri, Sali Berisha garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka, për të bërë të mundur që gjenerimi i punësimit të jetë një proces i vazhdueshëm. “Qeveria do jetë një partnerë dhe është e vendosur të ketë dialog konstant, bashkëpunim të pandërprerë për të gjeneruar vende të reja pune. Sot është univeralisht e njohur që Evropa është e pllakosur nga kriza e thellë shumëplanëshe, në të cilën kanë humbur miliona vene pune dhe duhet të jemi të qartë se kjo nuk është një krizë afatshkurtër, pasi kapërcimi i saj kërkon një seri reformash të gjithanshme për të rivendosur edhe njëherë ekonominë në performancën e saj. Por e vërteta është se në këto vite krize të thellë, ka një habi, se ekonomia shqiptare, jo vetëm që nuk njohu recension, rritje papunësie, por me performancën e saj garanton rritje ekonomike, një punësim në vazhdimësi dhe ulje të qëndrueshme të papunësisë në vend”, vuri në dukje Kryeministri, gjatë fjalës së tij.
Sipas tij, përgjigjen më të ndershme, për shkakun e kësaj situate e dha FMN që do informonte shqiptarët dhe qarqet botërore se reformat e ndërmarra nga qeveria u shndërruan në mburojë ndaj krizës dhe ajo nuk njohu recension.
Ekonomia shqiptare përballet me kërcënim nga kriza e madhe e euros dhe vendeve të tjera. Por ekonomia shqiptare ruan rritje ekonomike, dhe masat e marra para krizës kanë të bëjnë me uljen e barrës fiskale për biznesin. Ndërmorëm ato masa kur kriza nuk ishte parashikuar. I ndërmorëm pasi paratë e biznesmenëve janë më të vlefshme. Jo se qeveria nuk ka nevojë për ato para, por se ato janë vende pune të reja, janë prodhim më i madh, forcim i mëtejshëm në ekonomi. Motoja jonë e taksave të ulta, e shmangies së barrierave burokratike, bëri që ekonomia shqiptare të mos ndjejë recension. Ajo ruajti rritje ekonomike 4 herë më të lartë se mesatarja e rajonit”, vlerësoi Berisha, lidhur me këtë çështje.
Por, në këtë ligjeratë nuk munguan dhe argumentet se përse taksa progresive nuk mund të ketë rezultat në ekonomi.
“Sot manifesti i Marksit po shëtit në Shqipëri, taksa progresive. Rama zotohet se do të vendosë taksën e pa-shpirt të Karl Marksit, që ka si rezultat shuarjen nëpërmjet taksave të qindra mijëra vendeve pune. Vetëm 3 ditë më parë, Merkel që udhëheq daljen e Evropës nga kriza, që ka përcaktuar strategjinë, do deklaronte se ajo vetë të ulë taksat, sepse duhet punësim. Tani me këtë rast ju garantoj se sa kohë kjo qeveri të jetë në pushtet dhe shoh se në horizont po del mandati tretë, nuk do ketë rritje taksash, e kundërta po ndodh, prapë do ketë ulje”, deklaroi Berisha.
Gjithashtu, në vlerësimin e kreut të qeverisë e gjithë përpjekja e kryetarit të PS-së për platformën e tij mbi taksat është një përpjekje ‘donkishoteske’.
“Betohen kundër monopoleve, kur ai është arkitekti i monopoleve në Bashkinë e Tiranës. U betua se do të paguhet më pak, kjo është matematika kokëposhtë e Ramës. Kur flet për taksën e ndërtimit është i qartë se ai vendosi 20%. Në përpjekjen e tij ka një ‘donkishotizëm’. Ulja e taksave është rruga më e sigurt për zhvillimin e ekonomisë, për vendet e reja të punës. Të vazhdojmë me taksën e sheshtë. Kjo është e ndershme, sepse është parashikuar në librat e shenjtë dhe ka dhënë frytet më të mëdha. Qeveria bashkë me sektorin privat do krijojë të gjitha kushtet që ju biznesmenë të gjeneroni çdo ditë e çdo javë vende të reja pune”, nënvizoi Berisha, gjatë fjalës së tij.
Panairi “Punë dhe Studim” organizohet për të tretin vit në këtë format novator që rrit ndërveprimin e midis fuqisë së punës në treg dhe sipërmarrjes, me përfitim të ndërsjellë. Në stendat e tij, kompani të ndryshme kanë ofruar 3 mijë vende pune dhe shumë kompani e sipërmarrje të tjera paraqesin potencialet e tyre për punësim.