E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elda Kalaja: 3 reformat e statusit duhet të miratohen brenda 28 nëntorit

14-10-2012 / Gazeta 55

Ministria e Integrimit: Marrja e statusit sjell dyfishime të fondeve për vitet e ardhshme

“Shqipëria duhet të plotësojë tre kushtet e Komisionit Evropian brenda 28 nëntorit për të marrë një përgjigje pozitive nga Këshilli Evropian”. Kështu shprehet sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja duke iu referuar rekomandimit të Komisionit Evropian për statusin kandidat të Shqipërisë në BE. Sipas saj, data 28 nëntor është afati i fundit KE duhet tu rekomandoj shteteve anëtare raportin për Shqipërinë. “Mbledhja e ardhshme e Këshillit pritet të jetë më 13 dhjetor të 2012. Komisioni ka kohë për t’i raportuar Këshillit mbi ecurinë dhe zbatimin e këtyre tre kushteve deri në fund të nëntorit. Afatet janë shumë të ngushta. Diçka më shumë se një muaj, për vetë faktin sepse mbledhja në të cilën komisioni paraprakisht përgatit raportin është diku rreth datë 28 Nëntor”- tha ajo.

Marrja e statusit të vendit kandidat përveçse i hap rrugë ëndrrës evropiane sjell edhe të mira financiare për qytetarët. Sipas Kalasë, marrja e statusit do të sjellë dyfishime të fondeve për vitet e ardhshme. “Në perspektivën e re financiare, që bëhet fjalë për vitin 2014- 2020 që bëhet fjalë për paketën e re pritet të kemi rritje të fondeve. Në paketën e mëparshme ka qenë një rregulli matematikor nëse mund ta them që për vendet që kanë statusin ka një dyfishim fondesh në krahasim me vendet të cilat nuk e kanë statusin”- tha ndër të tjera, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Integrimit, Elda Kalaja.

Komisioni Evropian, gjatë publikimit të progres-raportit vjetor për vendet aspirante në BE, i rekomandoi vendeve anëtare të Unionit, dhënien Shqipërisë të Statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u shpreh në mesjavë se, progresi i Shqipërisë është i prekshëm, ndërsa kërkoi miratimin e 3 reformave të mbetura, deri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE, në dhjetor të këtij viti. Kohë kur, Shqipëria merr zyrtarisht statusin e kandidatit në BE.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›