Shqipëria përfitoi statusin e kandidatit falë reformave - të miratojmë 3 ligjet në parlament

Kryeministri Berisha përshëndet diplomimin e studentëve të parë të filialit të Universitetit të Durrësit, në Peshkopi: “Kurorëzim i ëndrrës rinore dhe i përkushtimit të prindërve”
Berisha: “PS të përgjigjet se çfarë interesash ka që nuk voton për interesat e qytetarëve”
Kryeministri Sali Berisha, i ftuar nga rektorati i Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të studentëve të parë të këtij universiteti, në filialin e tij në Peshkopi. Kjo ceremoni u shoqërua edhe me inaugurimin e rikonstruksionit të godinës së universitetit, i vendosur në qendër të qytetit, me financim të buxhetit të shtetit me vlerë 75 milionë lekë. Në përshëndetjen drejtuar studentëve me këtë rast, Kryeministri Berisha i uroi për diplomimin, duke e cilësuar këtë momentin më të bukur e të rëndësishme të jetës, kurorëzim i ëndrrës rinore dhe i përkushtimit të prindërve. Në fjalën e tij, Kryeministri, pasi nënvizoi disa nga arritjet themelore në arsimin e lartë në Shqipëri, si një bazë e mirë për të çuar përpara këtë sistem, u ndal në sfidat kryesore për të ardhmen e arsimit të lartë. Shqipëria e dijes dhe cilësia në arsim, tha Kryeministri, janë qëllimet kryesore në këtë fazë të zhvillimit të arsimit në vend. Kryeministri theksoi edhe rishikimin e mekanizmit të sistemit të provimeve, duke aplikuar praktikat më efikasi në këtë aspekt, si ai i kontrollit të dyfishtë të tyre, nga dy grupe të pavarura. “Ne do të bëjmë gjithçka për sistemin e provimeve. Dje bisedova me një ekspert me njohuri botërore për arsimin, nga Britania e Madhe, e cila ka universitetet më të mira të Evropës, është i vetmi vend që ka dy apo tre universitete që renditen në dhjetëshen e parë në botë, ndërkohë kur Evropa tjetër e tëra nuk ka qoftë edhe një të vetëm që të renditet në këtë dhjetëshe. Ai më tha se Britania e Madhe e ka zgjidhur këtë, me kontroll të dyfishtë. Pedagogët korrigjojnë provimet, por ato korrigjon edhe një grup tjetër i pavarur. Edhe ne do të shkojmë drejt këtyre praktikave, sepse na duhet cilësia. Ne do të bëjmë gjithçka që të rrisim cilësinë”- tha ai. Kryeministri e konsideroi të shëndetshëm për zhvillimin e arsimit debatin që zhvillohet sot mbi politikat e qeverisë në lidhje me arsimin e lartë në tërësi, publik dhe privat. Kryeministri e mbrojti politikën e dyerve të hapura të shkollës së lartë, përkundër zërave kritikë, si një politikë që përputhet me interesin më të mirë kombëtar e shoqëror të shqiptarëve. “Kudo, ku hapim degë të universiteteve, ne konstatojmë se ato mbushen me shpejtësi. Tre vjet më parë, ne e hapëm në Berat dhe tani atje janë 4500 studentë. E hapëm këtu, në Peshkopi, me 400 studentë dhe tani kemi 2500 studentë. E nisëm këtë politikë me 52 mijë studentë në shkallë vendi dhe sot kemi 162 mijë studentë,” – tha Kryeministri, duke e cilësuar “qëndrim arkaik”, zhvlerësimin apriori të masivizimit të shkollës së lartë. Ndërsa siguroi për inkurajimin e zhvillimit të arsimit të lartë privat, si një mekanizëm efikas, krahas buxhetit publik, për mobilizimin e fondeve për zhvillimin e arsimit. “Në çdo vend të botës, - tha Kryeministri - sektori privat është shumë e shumë herë më i fuqishëm, sesa sektori publik. Në arsimin e lartë privat studiojnë sot, 32 mijë studentë, aq sa kishte studentë Shqipëria në vitin 2001. Rreth 21 përqind e nevojave të shkollimit të lartë përballohen nga arsimi privat. Unë ju garantoj se kjo ishte një arritje e madhe për Shqipërinë. Edhe dy fjalë për kritizerët. Politika e krijimit të mundësive që të rinjtë shqiptarë ta bëjnë ëndrrën e tyre universitare të vërtetë është një politikë thellësisht kombëtare, është një politikë thellësisht shoqërore, është një politikë thellësisht njerëzore dhe ne do të shkojmë duke konsoliduar atë”- u shpreh Berisha. Kryeministri ndau me studentët edhe gëzimin e rekomandimit nga Komisioni Evropian të statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe ide mbi rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë. Shefi i ekzekutivit u zotua se Shqipëria do realizojë çdo reformë përcaktuese për fatet e integrimit, sikurse do përmbushë edhe 3 kushtet e mbetura lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat. Sikurse, rikujtoi kryeministri Berisha, qëndrimi bllokator prej 2 vitesh i Partisë Socialiste zvarriti ëndrrën evropiane të të rinjve, me synimin e vetëm bllokimin e saj. “Natyrisht, kur të tjerët lënë karriget bosh në parlament dhe nuk i përgjigjen detyrimit kushtetues, detyrimit të zgjedhësve të tyre për të votuar ligje që kërkohen për integrimin në Bashkimin Evropian, Evropa çuditet. Çfarë interesash kanë këta zotërinj, që nuk votojnë për interesin e qytetarëve të tyre!”- tha ai. “Dua të ndalem në një moment historik për vendin. Këto ditë, Shqipëria u rekomandua nga Komisioni Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat. Ky është një mesazh i shkëlqyer i vlerësimit më të madh që i bëhet Shqipërisë, në historinë e marrëdhënieve të saj me Bashkimin Evropian. Rëndësi të jashtëzakonshme ka gjithashtu, se ajo vjen edhe në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Por duhet ta kemi shumë të qartë se kjo nuk është dhuratë. Me të drejtë e theksoi edhe komisioneri se Bashkimi Evropian dhe Komisioni Evropian nuk bën dhurata. Nuk bën se ka filozofi tjetër. Ky proces të dashur studente e studentë, është një univers i tërë reformash që duhet të bësh e të zbatosh në mënyrë që ato reforma të kthehen në mirësi e standarde për qytetarët e vendit tënd. Përndryshe mbetem tek fraza që e rikujtoj shpesh, e një parlamentari evropian në vitin 2000, për shqiptarët, se: Këta njerëz nuk na duhen, pasi nuk kanë drita, nuk kanë ujë, nuk kanë rrugë, me këta njerëz nuk kemi punë dhe nuk e kuptojmë përse duhet të vijnë drejt nesh. Sado të na duken të hidhura, këto fjalë, ato kishin një të vërtetë brenda. Ne ishim Evropë si origjinë e gjeografi, por nuk ishim Evropë si standarde. Edhe ata nuk ishin Evropë si standarde, por morën përsipër të ndërtojnë ato standarde që kanë ndërtuar. Ndaj edhe ne shkojmë drejt tyre me këto standarde. E gjithë kjo rrugë është rrugë reformash dhe zbatimi i tyre shndërrohet në standarde të mira për qytetarët e vendit tënd. Ne kemi pasur një vështirësi unike. Përfaqësues të opozitës bojkotonin parlamentin. Ju garantoj se, në qoftë se Shqipëria nuk do të kishte bërë zgjedhje të standardeve të OSBE-së, statusi nuk do të jepej kurrë. Statusi nuk i rekomandohet një vendi që nuk ka arritur në standardet e OSBE-së për zgjedhjet. U qëndrua dy vite, jashtë parlamentit, për të ndëshkuar vendin dhe më pas u pranua gjithçka që ne kishim propozuar. Qeveria ka për detyrë jo t’i imponohet opozitës, përkundrazi, detyra e saj është të bëjë gjithçka, t’i krijojë hapësirën më të madhe asaj. Ky është qëndrim i pandryshueshëm. Por, kur pranuan në muajin nëntor të vitit të kaluar, atë që ishte ofruar edhe 24 muaj më parë, atëherë duhet të nxjerrin një leksion. Ose edhe tani që është një festë e madhe. Fakti që rekomandohet statusi është arritja më e madhe. Ai nuk do rekomandohej po të mos ishim afruar me standarde, aty ku duhej. Askush nuk ta jep atë, për mëshirë. Në një Europë të pasur, një vend të varfër do ta ndihmonin në mënyra të ndryshme, por statusin nuk do t’ia jepnin dhe kjo, për asgjë tjetër, veçse nuk plotësonte standardet. U dhanë tre kushte: Tre ligjet që janë në parlament, që, për hir të këtij statusi, nuk duhet të ketë shqiptar të thotë se nuk do t’i votoj. Unë ju garantoj se do të përpiqemi të bëjmë gjithçka që ato të votohen. Nga ana tjetër, nuk është ky qëndrimi që ne duhet të mbajmë ndaj problemeve që janë interesi jetik i të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga spektri i tyre partiak, por, para së gjithash, interesi jetik i të rinjve shqiptarë. Duke ju garantuar se ky proces do të jetë i pakthyeshëm, ne do të bëjmë gjithçka për të përmbushur çdo detyrim që rrjedh nga procesi i integrimit evropian, pasi synimi madhor është t’ju bëjmë juve, të bëjmë çdo qytetar të këtij vendi më të lirë, më të mëkëmbur e më të sigurt”- deklaroi kryeministri Berisha, duke theksuar se, “qeveria është e vendosur të bëjë çdo gjë për integrimin evropian të Shqipërisë e shqiptarëve”.
...