E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Taksat e shqiptarëve do t’i kthejmë në rroga e pensione të larta

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorët e degës 9, të zonës së Bregut të Lumit, ku theksoi se “kjo qeveri ka dështuar në shumë aspekte të jetës sociale dhe ekonomike të shqiptarëve”.

Gjatë takimit, Berisha vuri në dukje, sipas tij, nevojën e ndryshimit të politikës dhe të drejtimit të vendit, duke e mbështetur programin e PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore si një alternativë më të drejtë dhe të përqendruar te nevojat e qytetarëve.

“Paraqitemi para qytetarëve shqiptarë me të cilin ne besojmë se, u japim përgjigjen më të mirë të gjitha problematikave të tyre, kudo që ndodhen ata, në qendër të Tiranës, apo këtu në periferi, në Shën Gjergj, apo në Dukagjin dhe në Pogonë. Ne kemi hartuar me ekspertizën më të mirë, me ekonomistët më të shquar të sotëm të SHBA-ve, Gjermanisë, mbështetjen e tyre, programin më të mirë për një Shqipëri Madhështore”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së foli për nevojën e uljes së taksave dhe shpërndarjen e pasurive të grumbulluara nga taksat e qytetarëve në mënyrë më të drejtë.

Ai premtoi një rritje të pensioneve, duke siguruar që asnjë pensionist të mos marrë më pak se 200 euro ndërsa tha se do të krijohet një sistem tërësisht të ri, ku pensionistët do të përfitojnë bonuse dhe lehtësi të tjera.

Berisha theksoi rëndësinë e rritjes së pagave dhe të mbështetjes për familjet, duke ofruar bonuse për fëmijët dhe duke garantuar që rroga minimale nuk do të jetë nën 500 euro.

Një tjetër premtim i rëndësishëm ishte legalizimi i shtëpive para çdo akti urbanizimi, me kompensim të pronarëve sipas çmimit të tregut.

Berisha e konsideroi këtë si një mënyrë për të ndërtuar besim dhe për të larguar pasiguritë që ka sjellë qeveria aktuale.

Berisha gjithashtu theksoi rëndësinë e kthimit të emigrantëve shqiptarë dhe mbështetjes së tyre për të investuar në vendin e tyre pa taksa për 5 vitet e para.

Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se do të ulë çmimet e energjisë dhe karburanteve dhe do të financojë vendosjen e paneleve fotovoltaike, që do të mundësojnë që qytetarët të kenë energji falas pas disa viteve.

Berisha premtoi se pas ardhjes në pushtet, do të ndërtojë një infrastrukturë më të madhe dhe do të garantojë përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët shqiptarë.

Në përfundim, Berisha iu bëri thirrje banorëve që së bashku të shkojnë në kutitë e votimit më të kthjellët dhe më të qartë për hapat që do të ndërmerren.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›