E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Task forcë për gjetjen e trupave të ekzekutuar gjatë komunizmit

Kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen e sotme te qeverisë ngritjen e një task force për gjetjen e trupave të ekzekutuar gjatë periudhës së komunizmit. "Kërkoj ngritjen e një taskforce që do merret me kërkimin, gjetjen, e trupave të burrave dhe grave, që u ekzekutuan barbarisht nga regjimi hoxhist vetëm se besonin tek fjala e lirë, tek zoti dhe tek vendi i tyre, në vlera që janë sa hyjnore edhe njerëzore", u shpreh Berisha. Kryeministri ka kërkuar përgatitjen sa më parë të vendimit nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Brendshme.
Po ashtu në mbledhjen e qeverisë, Berisha ka deklaruar se
ky vit do jetë viti i Nënë Terezës . "Ky vit do jetë viti i Nënë Terezës. Këtë vit shenjtorja e gjallë dhe që ia doli në misionin e saj të pushtojë zemrat e miliarda njerëzve në planet të shpallet Nënë e mbarë njerëzimit. Ajo ka 100 vjetorin e lindjes së saj", u shpreh Berisha. Kryeministri ka njofuar ngritjen e një komiteti të kryesuar nga ministri i Kulturës dhe i përbërë nga personalitete të të gjitha fushave për formulimin e një projekti për këtë 100 vjetor të Nënë Terezës, që sipas Berishës, nuk mund të karakterizohet nga madhështia, por nga përulësia, si një virtyt i Nënë Terezës.
Sali Berisha tha se sheshi "Nënë Tereza" do ketë përkujdesje të nevojshme për këtë 100-vjetor, dhe njëkohësisht ka kërkuar zhvendosje të shtatores së Nënë Terezës dhe të vendoset në sheshin që mban emrin e saj.
Sipas Berishës mund të ngrihet një muze për të prezantuar veprën e Nënë Terezës. "Hapësira mes rektoratit dhe muzeut arkelogjik është një hapësirë e goditur për një muze për të paraqitur dhuntitë e shpirtit të saj. Fillimi i punimeve të projektit duhet të arrihet në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së saj ", theksoi ai. Kreu i qeverisë ka kërkuar që edhe banesat në Tiranë e Shkodër ku ka jetuar familja e Nënë Terezës të mbrohen nga Ministria e Kulturës.
Në mbledhjen e qeverisë është marrë vendimi për të kompensuar
100% tekstet shkollore të fëmijëve me aftësi të kufizuar dhe familjeve me probleme ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›