E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të gatshëm për bashkëpunim me kompanitë norvegjeze

OSLO – Në kuadër të vizitës së tij në Norvegji, Kryeministri Berisha u takua me drejtues të lartë të kompanive “Starkraft” dhe “Statoil”, në Oslo.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të Kryeministrisë, Berisha u prit nga zv/presidenti ekzekutiv i kompanisë “Statkraft”, Oistein Andersen, me të cilin diskutoi rreth ecurisë së projektit të kaskadës së Devollit.

Andersen, e informoi Kryeministrin Berisha mbi përfundimin e studimit të fizibilitetit të projektit, sikurse shprehu kënaqësinë për përmbylljen në kohë të procesit të marrjes së lejes mjedisore.

Për sa i përket infrastrukturës që do të preket nga ndërtimi i hidrocentralit në rrethin e Gramshit, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të fillojë punën për ndërtimin e aksit rrugor prej 18 kilometrash, përkundrejt zhdëmtimit që kompania Statkraft do të bëjë për shtetin shqiptar.
Andersen e informoi Kryeministrin edhe mbi hapjen e tenderit për fillimin e punimeve civile për hidrocentralin e Banjës.

Në takimin me drejtues të kompanisë “Statoil”, kryeministri Berisha vlerësoi projektin TAP si projektin me fizibël dhe më të shpejtë për transportimin e gazit në krahasim me projekte të tjera konkurrente.
Kryeministri i siguroi drejtuesit e kompanisë “Statoil” se qeveria shqiptare do të mbështesë dhe do të bëjë pjesën e saj për konkretizimin me sukses të këtij projekti. Projekti TAP paraqitet nga një konsorcium kompanish që përfshin përveç kompanisë norvegjeze Statoil, edhe EGL të Zvicrës dhe E.ON Ruhragaz të Gjermanisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›