Berisha: Të kthehen gjobat e mbledhura prej 2014-ës me ligj antikushtetues

Kryetari i Partisë Demokratike më e madhja e opozitës Sali Berisha, ka komentuar nismën e Partisë Socialiste për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Zoti Berisha tha se mazhoranca fillimisht duhet t’u kthejë lekët atyre që ua ka marrë nga 2014 me një ligj antikushtetues.
“Prej disa vitesh Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin e vitit 2014, mbi të cilin kanë vënë gjoba. Çdo gjobë duhej t’i kthehej qytetarit se ka qenë e paligjshme, ka qenë jokushtetuese. Pasi i kanë mbushur valixhet me dhjetëra e dhjetëra milionë gjoba, po i heq. Kthejua gjobat të gjithë atyre që ua ke marrë që nga vitit 2014 me një ligj antikushtetues”, tha Berisha.
Një projektligj i sjellë nga Partia Socialiste për t’u shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar në Kuvend për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në fshat, krijoi të enjten një debat të ashpër procedural në seancën plenare.
Demokratët akuzuan PS-në se në 12 vite ka vënë gjoba të pafajshmëve, ndërsa qeveria garantoi se ligji do të miratohet brenda dhjetorit.
/ rtsh.al /