E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2025, PD kërkon vëzhgim të zgjeruar nga OSBE/ODIHR

Në një takim me misionin e OSBE/ODIHR dhe Asamblenë Parlamentare të OSBE-së të zhvilluar në selinë e Partisë Demokratike, nënkryetari Oerd Bylykbashi, sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore, Ivi Kaso, dhe përfaqësuesi ligjor në KQZ, Franc Nuri, prezantuan një pasqyrë të plotë të situatës politike dhe institucionale në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

PD theksoi shqetësimin për “përpjekjet e qeverisë për të minuar opozitën, përfshirë pengimin e përdorimit të vulës dhe simboleve të PD-së për dy vite dhe arrestin antikushtetues të liderit të opozitës, Sali Berisha”.

Gjithashtu, u ngritën shqetësime për ndjekjen politike të drejtuesve dhe deputetëve të opozitës, vetëm pesë muaj para zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e PD-së vlerësuan rekomandimet e OSBE/ODIHR si pasqyrë të qartë të shkeljeve serioze të standardeve ndërkombëtare për zgjedhje demokratike, përfshirë shitblerjen e votës, presionin shtetëror mbi zgjedhësit, dhe lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar.

PD kritikoi bllokimin e Reformës Zgjedhore nga mazhoranca, pengesat për votën e emigrantëve dhe kontrollet politike mbi institucionet kryesore zgjedhore dhe gjyqësore.

Në përfundim, PD kërkoi një mision monitorimi të zgjeruar nga OSBE për zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të siguruar standarde demokratike dhe për të garantuar zgjedhje të ndershme në Shqipëri.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›