E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Të ndryshohet ligji i deklarimit të pasurisë

Tiranë, 23 gusht -  Në një konferencë për shtyp nga kalaja e Petrelës kryeministri Berisha ka reaguar në lidhje me akuzat që PS, ka bërë prej disa javësh në lidhje me deklarimin e pasurisë së bashkëshortit të deputetes demokrate Albana Vokshi. Sipas kryeministrit, e vetmja mundësi për t’i dhënë rrugë hetimit është ndryshimi i ligjit për deklarimin e pasurive.
Akuzat e ndërsjellta për korrupsin mes deputetetëve Berisha i cilësoi si mënyrën më të keqe për ta luftuar atë. “Mënyra më e padrejtë për të luftuar korrupsionin është të përpiqesh ta bësh atë me deklarata politike të pabaza”,- ndërsa theksoi se bërja e një ligji, ku të përfshihen edhe partnerët është mëse i domosdoshëm, ka raportuar BalkanWeb.
“Duhet bërë një ligj për partnerët dhe ky është i domosdoshëm, pasi bashkëjetesa është një fenomen shumë i përhapur në Europë por edhe në Shqipëri, duhet të bëhen rregulime ligjore tërësore për të. Vlerësoj dëshirën e deputetëve të të gjithë spektrit, për të bërë ligjin, në të cilin të përfshihen edhe partnerët”, - tha Berisha.
Kryeministri ndër të tjera ka theksuar se shpreson që një ligj i tillë të përkrahet edhe nga Partia Socialiste.
Nuk ka nguruar të flasë ndër të tjera, edhe për çështjen e hapjes së kutive, për të cilat Berisha ka shtuar se, rinumërimi i kutive do të bëhet vetëm në rast se vendosin institucionet e drejtësisë”, në këtë rast Gjykata Kushtetuese, të cilës duhet ti drejtohet PS.
Kreu i qeverisë është shprehur se PD i ka marrë seriozisht propozimet e PS, por sipas tij, respektimi i institucioneve është i domosdoshëm. “Në propozimet e tyre ka elementë racionalë për të cilat ne jemi absolutisht të gatshëm. Në të tjera mendoj se, nëpërmjet një mirëkuptimi bilateral një kompromis arrihet jo mbi baza ultimative, një kompromis arrihet mbi baza koncesionesh reciproke. Nëse ekziston vullneti nga PS, kushtetuta dhe ligjet e vendit japin zgjidhje të plotë problemit, në përputhje me Rezolutën e PE”, tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›