E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Të shtyhet afati i regjistrimit të diasporës, të votohet edhe brenda vendit me dokumente të skaduara

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi sot shtyrjen e afatit të regjistrimit të diasporës dhe njohjen e dokumenteve të skaduara edhe në Shqipëri për të votuar më 11 maj.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se, “dje parlamenti miratoi një akt vetëm 5 ditë përpara përfundimit të afatit të regjistrimit, në të cilin bën të mundur të votojnë me dokumente të skaduara qytetarët shqiptarë jashtë vendit”.

Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve jashtë vendit që “të bëjnë gjithçka që këto 4 ditë që kanë mbetur, të shumëfishojnë numrin e shqiptarëve jashtë vendit që do votojnë më 11 maj”.

Vota e tyre, theksoi Berisha, ka një rëndësi përcaktuese.

Ai gjithashtu u shpreh se, PD do paraqesë në KQZ kërkesën që të shtyhet afati i regjistrimeve.

“Kërkoj, dhe zyrtarisht do paraqesim kërkesën pranë KQZ, që të shtyhet afati i regjistrimeve pasi ky akt ka dalë shumë, shumë, shumë me vonesë”, tha Berisha.

“Ky akt i votuar vetëm 5 ditë para skadimit të afatit të regjistrimit, de facto e bën të pazbatueshëm në kuptimin që edhe njoftimi për miratimin e këtij akti është një njoftim shumë i mangët. Ndaj dhe kërkoj shtyrjen e afatit të regjistrimit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së kërkoi gjithashtu shtyrjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të skaduara për shtetasit shqiptarë që jetojnë brenda vendit.

“Kërkoj, dhe do dërgoj në Gjykatë Kushtetuese, respektimin e barazisë së shtetasve shqiptarë kudo që janë. Vlefshmërinë e dokumenteve të skaduara si për qytetarët në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit”, tha Berisha.

“Nuk kanë asnjë të drejtë të bëjnë këtë diskriminim të madh përveç fobisë nga vota e qytetarëve shqiptarë. Ky është një akt i turpshëm dhe ne do bëjmë çdo gjë që qytetarët shqiptarë të konsiderohen të barabartë para ligjit”, theksoi kreu i PD. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›