E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Prodhimi i përgjithshëm kombëtar afro 25 miliardë euro, 2,5 herë më i lartë se 2013-a

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kur na ndajnë edhe 72 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama njëkohësisht edhe kryetar i Partisë Socialiste zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Ndroq dhe Vaqarr.

Në fjalën e tij kryeministri Rama u ndal te ndryshimet që kanë ndodhur në vend gjatë qeverisjes socialiste, në fushën energjetike, në furnizimin me ujë apo edhe në zhvillimin e biznesit. Rama tha se për herë të parë është ulur çmimi i energjisë në vendin tonë.

“Nëse do ta kishim bërë këtë mbledhje në fundin e vitit të 2013 këtu do të ishim me gjenerator. Sot ne jemi në muajin e dytë të një viti ku kemi ulur çmimin e energjisë, gjë që nuk e ka parë asnjë vend në rajon për shumë vite. Kjo është ulja e parë e energjisë në vendin tonë. Sikur ta kishim ulur 1 lek në 1000 lekë do të ishte tallje, por është 1 lek në 9.5, e ulëm me 10.5%. Kështu që tek të gjithë ata që shohin faturën, duket dallimi në faturë sot shkurt më shkurt për familjet me të ardhura mesatare dhe të ulëta”, tha Rama.

“Kemi pasur 117 mijë subjekte biznesi, kur kemi filluar punën, kemi 250 mijë biznese sot. Kemi pas prodhim të përgjithshëm kombëtar më pak se 10 miliardë euro, sot e kemi afro 25 miliardë. Kemi pasur të ardhura për frymë më pak se 4000 mijë euro, sot i kemi tek 10 mijë euro. Nuk janë shumë sa duhet të jenë, por janë shumë më shumë krahasuar me ku ishim”, tha Rama.

Rama shtoi se ka pasur vetëm 4 zona në Shqipëri me furnizim 24 orë me ujë, ndërsa sot ka 43 zona urbane dhe 98 zona rurale me furnizim 24 orë ujë.

“Diskutojmë ujin, sepse kur kemi filluar ne punën dhe ajo e ujit nuk është trashëgimia e një qeverie por e gjithë historisë. Ka pasur vetëm 4 zona në Shqipëri me furnizim 24 orë sot ka 43 zona urbane dhe 98 zona rurale me furnizim 24 orë. Por nuk ka pasur ndonjëherë Shqipëria furnizim 24 orë në gjithë territorin. Të ndërtosh një furnizim 24 orë në një territor kombëtar është si të bësh një shtet. Nuk e bëri dot komunizmi furnizimin me 24 orë, kishte çezma të përbashkëta në lagje”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se “kemi ndërtuar 53 spitale, janë shumë për mundësitë që kemi pasur ndërkohë që spitalet e ndërtuara në Shqipëri i përkasin viteve ’60-’70. 99% e tyre janë ndërtuar ato vite. 10 nuk kanë ekzistuar asnjëherë, të tjerët shemb e rindërto. 400 qendra shëndetësore që ishin komplet të lëna pas dore”.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›