Rama: Të hënën do të jem në panairin e turizmit ITB Berlin

TIRANË, 28 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të jetë ditën e hënë (3 mars) i pranishëm në panairin ITB Berlin, i cili është panairi më i madh i turizmit në botë (4-6 mars) dhe ku Shqipëria do të mbajë “vendin e nderit”.
Lajmin e bëri të ditur vetë kryeministri dhe njëherazi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi sot me asambletë socialiste të njësive 1, 2, Pezë, Ndroq dhe Vaqarr.
Kreu i qeverisë tha se Shqipëria është kthyer destinacioni turistik me rritjen më të shpejtë në Europë.
“E para arsye për të qenë shumë krenarë për këtë forcë politike është se i kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe nuk na shohin më nga lart poshtë, siç na shinin deri dje. Kjo ka sjellë që nga një vend me turistë që vinin kryesisht nga trojet shqiptare, të bëhemi një distinacion turistik që është destinacioni me rritjen më të shpejtë në Europë. Ditën e hënë do të jem në Panairin e Berlinit, që është panairi më i madh i botës dhe Shqipëria ka “vendin e nderit”. “Vendi i nderit” i jepet çdo vit një vendi që dallohet dhe vlerësohet. Imagjinoni, Shqipëria vendi i nderit në panairin e Turizmit në Berlin! 10 vite ose 5 vite më parë nuk bënte vaki”, u shpreh Rama.
Rama tha më tej: “Imagjino 10 vite më parë ose edhe 5 vite më parë aeroporti i Tiranës me më shumë pasagjerë se aeroporti i Beogradit, që ka qenë historikisht aeroporti më i madh në gjithë rajonin tonë, 11 milionë në 2024-n, 11 milionë. Pasagjerë që vijnë nga Mali i Zi, nga Kosova që të marrin avionin këtu”.
“4.2 miliardë euro kanë hyrë në 2023-shin. Në 2024 akoma nuk i kemi nxjerrë të plota, janë shuma të mëdha që kanë ardhur si rezultat i ndryshimit të imazhit dhe rritje së respektit për Shqipërinë”, tha Rama.
/r.e/