E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: “Të zhveshim historinë nga ideologjizmat, ta shohim atë siç është, me fitoret dhe disfatat”

26-11-2012 / Gazeta 55

Elbasani kremton i pari përvjetorin e 100-të të ngritjes së flamurit

Në 25 nëntor 1912 Elbasani shpalli i pari pavarësinë, duke vënë kështu gurin e parë në themelet e Pavarësisë Kombëtare. Kryeministri Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja e tij zonja Liri Berisha, vizitoi dje Elbasanin ku mori pjesë në aktivitetet e organizuara në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit.
Të pranishëm ishin edhe deputetë të qarkut, përfaqësues të pushtetit vendor si dhe familjarë të patriotëve dhe firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit. Aktivitetet nisën me ceremoninë përkujtimore për patriotin e shquar Aqif Pashë Elbasanin dhe firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Elbasanit.
Nën tingujt e himnit kombëtar, kryeministri Berisha së bashku me kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdiu dhe prefektin e qarkut, zbuluan pllakën në nderim të 37 firmëtarëve të Pavarësisë së Elbasanit dhe të përfaqësuesve të Elbasanit, në Vlorë më 28 nëntor 1912, si Lef Nosi, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani. Pllaka, së bashku me shtatoren e Aqif Pashë Elbasanit (1860 - 1926) janë vendosur në bulevardin e qytetit që mban emrin e tij.
Më pas kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë inauguruan dhe shtatoren e Lef Nosit, atdhetarit, politikanit dhe studiuesit nga Elbasani, i cili ka qenë dhe ruajtësi i Dokumentit të Pavarësisë së Shqipërisë 100 vjet më parë. Lef Nosi, për të bërë të pamundur falsifikimin dhe manipulimin e tij, me rastin e 25 vjetorit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e botoi duke ju dhuruar një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve dhe duke e shpërndarë botërisht.
Në përshëndetjen drejtuar qytetarëve të Elbasanit, kryeministri Sali Berisha vlerësoi heroizmin dhe atdhedashurinë e këtij qyteti si dhe të patriotëve të tij, të cilët 100 vjet më parë shpallën Elbasanin qytetin e parë të pavarur, duke shpallur Deklaratën e Pavarësisë së vendit.
“Sot së bashku ne nderojmë këtu në Elbasan, por në mbarë trojet shqiptare Ismail Qemal Vlorën, burrin e madh dhe vizionarë të kombit shqiptar, që me një udhëtim biblik do të vraponte nga Stambolli drejt trojeve shqiptare, për të ngritur në Vlorë së bashku me burrat e shquar të kombit  tonë, flamurin e pavdekshëm, flamurin krenar të princit tonë të të  gjitha kohërave, flamurin e Skënderbeut. Sot së bashku, këtu me ju dhe shqiptarët kudo që ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, diasporë përulemi me nderimin më të madh, para këtij burri vigan të Elbasanit dhe të kombit shqiptar. Para udhëheqësve të tjerë të këtij qyteti, që në kushtet e një pushtimi të egër barbar do të ngriheshin mbi çdo vështirësi, me një kurajë mbinjerëzore do të shpallnin këtu në qytetin tuaj Aktin e Pavarësisë së vendit. Deklarata e pavarësisë e shpallur këtu në qytetin e Elbasanit, të dashur qytetarë dhe qytetare të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë, i bën nder çdo qytetari shqiptar, çdo qytetari ballkanik, çdo qytetari evropian. 100 vjet më parë burrat e mençur të këtij qyteti, sanksionuan në deklaratën e tyre se, në Shqipërinë e lirë dhe të pavarur do të mund të jetojnë të lirë, shqiptarë dhe të huaj në respekt të plotë të lirive njerëzore, çka përbën këtë akt frymëzues për shqiptarë, sot dhe të gjitha kohërat. Nuk është aspak e rastit, që këtu 100 vjet më parë burrat dhe gratë e këtij qyteti u zotuan për të bërë Shqipërinë, vendin e respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, Elbasani erdhi në pavarësinë e Shqipërisë si qyteti i dritës dhe i iluminizmit të shqiptarëve, si qyteti i universitetit të parë të tyre, si qyteti që shpërndau dritë e dije, gjuhën tonë të bukur, që e mësojnë në të gjitha trevat e tjera shqiptare.
Kryeministri vlerësoi se Elbasani në tërë historinë e kombit ishte dhe mbeti kështjellë e pamposhtur e shqiptarëve, e dinjitetit të tyre kombëtar.
Një nderim të veçantë kryeministri Berisha përcolli për atdhetarët e Elbasanit si Aqif Pashën, Lef Nosin dhe Qemal Stafën.
“Sot ne nderojmë burrat e mëdhenj të Elbasanit, nderojmë  Aqif Pashë Elbasanin, burrin që në tërë jetën e tij jetoi, punoi si një ikonë e ndritur e atdhetarisë e ndershmërisë, e përkushtimit, e diturisë shqiptare.
Aqif Pasha pas shpalljes së pavarësisë dhe në vazhdim do të luante një rol qendror në historinë tonë kombëtare. Ai do të kryesonte Kongresin e Lushnjës, njërin nga mrekullitë më të mëdha në historinë tonë kombëtare. Kongresin që jetësoi për shqiptarët, pavarësinë e shpallur me 1912, kongresin që vendosi integritetin dhe sovranitetin e Shqipërisë. Nder burrave dhe grave të këtij qyteti. Nder Lef Nosit, Qemal Stafës dhe të gjithë heronjve të Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë”, tha ai.
Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se në këtë përvjetor jubilar, historia duhet të zhvishet nga ideologjizmat.
“Ky 100 vjetor po festohet nga shqiptarët me një vetëdije kombëtare me një dashuri dhe respekt për veten e tyre, për njëri- tjetrin, për trojet shqiptare me shumë se kurrë në histori. Është në detyrën tonë ta zhveshim historinë nga çdo ideologjizëm. Ne nuk mund të themi se në historinë tonë kemi vetëm lavdira. Jo dhe jo. Ne jemi një komb që jemi rrëzuar jo pak përtokë, por jemi ngritur përsëri. Ne jemi një komb që kemi bërë gabime, por jemi ngritur mbi to. Le ta shohim ne, si burra dhe gra të qytetëruar drejt në sy historinë tonë, të mbajmë çdo vlerë të saj, të nxjerrim çdo mësim që duhet nxjerrë nga gabimet, në mënyrë që së bashku të ndërtojmë të ardhmen e ndritur të bëjë realitet të plotë ëndrrën fisnike të atyre burrave dhe grave, që shpallën këtu në Elbasan, në Durrës, në Tiranë në Vlorë, në mbajë trojet shqiptare, 100 vjet më parë Pavarësinë e Shqipërisë”, theksoi më tej kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›