Berisha: Toka në qendër të Tiranës, shtetërore
Toka në qendër të Tiranës ishte pronë publike dhe pas shpronësimit nga Mbreti Zog, nuk i përket askujt tjetër veçse shtetit. Në këtë mënyrë Kryeministri Sali Berisha iu kundërvu dje falsifikatorëve të pronës publike, teksa bëri në mbledhjen e Këshillit të Ministrave një historik që nga viti 1932, për të treguar se qendra e kryeqytetit do të mbrohet nga falsifikuesit e truallit të saj. Kryeministri paralajmëroi dhe shitjen e kësaj toke, bazuar në atë çfarë parashikon ligji në rastet e shitjes së pronës publike. Sipas tij, të gjitha paratë do të shkojnë në fondin e kompensimit të ish-pronarëve. Kryeministri Berisha paralajmëroi edhe publikimin e të gjitha dokumenteve, të cilat provojnë, sikundër tha, se toka që ndodhet mes Rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës, përfshirë dhe Dhomën e Tregtisë, është publike. Kryeministri ngarkoi për këtë ministrat Sokol Olldashi e Dritan Prifti, ndërsa garantoi se falsifikatorët dhe mbrojtësit e tyre do të marrin përgjigje ligjore. “Falsifikatorët duhet të marrin atë që meritojnë dhe ata që mbrojnë falsifikimin. Do të bashkërendoni veprimtarinë për zemrën e Tiranës, që si pa gjë të keq, si lukuni, donin ta merrnin me një firmë të një njeriu të papërgjegjshëm”, - u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi se do t’u jepet fund abuzimeve me dokumentacionet, të cilat krijojnë pronarë të paligjshëm në toka publike. Kryeministri kërkoi nga Ministria e Punëve Publike verifikimin e të gjithë dokumentacionit për qendrën e Tiranës, për të shmangur në këtë mënyrë përvetësimet e padrejta të tokës publike. Prej disa ditësh Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve është përplasur me Bashkinë e Tiranës për shkak të qendrës së Tiranës, e cila, sipas qeverisë, është tokë shtetërore dhe nuk ka leje ndërtimi nga pushteti lokal, madje edhe se është vendosur që në këtë vend të ndërtohet një lulishte. Pas deklaratës që ka ardhur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave se shteti rezulton të jetë në pronësi të shtetit dhe jo të privatit, Kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme ngarkoi pikërisht Ministrinë e Punëve Publike dhe atë të Ekonomisë për të nisur procedurën e ankandit. Sipas Kryeministrit, fondi do të kalojë në llogari të fondit për ish-pronarët.