E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prona shtetërore, qeveria zbardh planimetrinë e qendrës



Qeveria zbardhi dje planimetrinë e qendrës së Tiranës, e cila vërteton se ka qenë pronë publike dhe si e tillë i përket shtetit. Për këtë qeveria disponon dokumente të qarta. Kryeministri Sali Berisha lajmëroi dje se Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë duhet të gjejë ambiente të tjera për t’u vendosur, pasi edhe trualli ku ndodhet kjo ndërtesë, është pronë e shtetit dhe do të shitet, kurse Ministria e Kulturës, sipas atlaseve dhe të gjitha dokumenteve, është ndërtuar në vitin 1932 nga Lartmadhëria e tij, Mbreti Zogu I, i cili në asnjë rrethanë dhe në asnjë rast nuk i ka përvetësuar kujt pronën, por ka shpronësuar në përputhje me Kodin Civil. Z. Berisha përmendi: “Më sipër është një bërrakë e ndërtuar nga fundi i viteve 1800, një kazermë ushtarake turke. Me të gjitha dokumentet, ajo është një dhomë tregtie, më vonë spital austro-hungarez e pastaj gjimnaz. Dhe tani na del se qenka pronë e asaj apo kësaj familjeje”, - deklaroi z. Berisha. Sipas tij, ajo ndërtesë është mbi 100-vjeçare. Kryeministri vuri në dukje: “Më sipër janë varrezat e Karapicëve dhe xhamia e Karapicëve. Ka dokumente për këtë. Lartmadhëria e tij Zogu I ndërtoi sheshin dhe hoqi të gjitha varrezat familjare ose shtëpiake që ishin brenda qytetit. I bëri të gjitha ato me shpronësim të plotë. Edhe xhaminë e rrafshoi për të ndërtuar sheshin, por e kompensoi. Këtu nuk janë në lojë shuma të vogla, por të paktën 110 milionë euro”. Reagimi i qeverisë vjen pas debatit për sheshin në qendër të kryeqytetit, ku përplasi disa ditë më parë Policinë e Rendit me atë Bashkiake. Bashkia publikoi një dokument të pronësisë dhe vendimin e KRRT-së ku jepet leje ndërtimi për një objekt shumëfunksional. Sipas bashkisë, pronarë të truallit rezultojnë Komuniteti Mysliman dhe familja Kika dhe se këmbëngulja e pushtetit qendror është cenim i hapur i autonomisë. Por, për këtë çështje, Ministria e Transporteve bëri të qartë se kjo tokë i përket shtetit dhe nuk ka leje ndërtimi nga pushteti lokal.

Qeveria, vendim për shitjen e tokës publike

Këshilli i Ministrave do të bëjë të gjitha ndërhyrjet e nevojshme në ligje apo vendime të caktuara për përshpejtimin dhe mbarëvajtjen e procesit të kompensimit. Në mbledhjen e djeshme Kryeministri Sali Berisha përmendi faktin: “Ka një problem, ka një ligj të vitit 1994, ku qeveria nuk lejohet të shesë tokën publike, përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave, për qëllime të caktuara”. Sipas tij, ai vendim është shumë i dobishëm, sepse ka pasur si qëllim që të mbrojë dhe të mos lejojë shitjen e pronave pa u kompensuar pronari, po aty mund të ndërhyhet dhe të futet kompensimi i pronarëve dhe krijimi i fondeve për ta, sepse aty është e përcaktuar se kur Këshilli i Ministrave mund të marrë vendim për të shitur tokën publike. “Ndaj dhe do të bashkërendoni të gjithë veprimtarinë. Do të përdoren në mënyrën më transparente, më të ndershme dhe çdo gjë në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve”, - u shpreh Kryeministri.

Qeveria, regjistrim elektronik për pronat

Qeveria miratoi dje vendimin që i hap rrugë nisjes, vitin e ardhshëm, të regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë dhe pronave të tyre në të gjithë vendin, duke krijuar kështu edhe fondin përfundimtar dixhital të pronësisë. Në takimin e përjavshëm me kabinetin qeveritar Kryeministri Sali Berisha informoi se viti 2010 do të shënojë fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë dhe të pronave. Kryeministri Berisha vuri në dukje se vitin që vjen dhe në vazhdim do të ndërmerret regjistrimi më i gjerë, që është bërë deri më sot, i qytetarëve dhe pronave kudo që ato ndodhen. Duke e vlerësuar këtë ndërmarrje si një arritje të madhe, Kryeministri tha se në këtë mënyrë do të krijohet fondi përfundimtar dixhital i pronësisë.

“Trualli në qendër të Tiranës, 2000 euro metri katror”

Qeveria do të shesë 2000 euro metrin katror në qendër të Tiranës dhe fondi që do të krijohet, do të shkojë për kompensimin e ish-pronarëve. Në këtë mënyrë qeveria nuk do të mbledhë për buxhetin e vet as edhe një qindarkë të vetme, por të gjitha do t’i vendosë në mënyrën më transparente dhe më të ndershme në funksion të fondit të kompensimit të pronarëve. Për këtë Berisha deklaroi: “Ne do t’i shesim ato me 2000 euro metrin katror, në përputhje me planin e qytetit që ndërtohet, por i gjithë ky fond prej 112 milionë eurosh gradualisht me kalimin e tij do të kalojë i tëri për kompensimin e pronarëve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›