E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Topi në xhepin e Ramës, i dha votën më 8 Maj

TIRANË- Pak kohë më parë, në prerjen e shiritit të radhës, kryeministri Sali Berisha deklaroi se ai është vetëm për zbatimin e Kushtetutës, duke kundërshtuar nismën e mundshme të opozitës për ndërhyrje në ligjin themeltar të shtetit. Ndërkohë dje, Berisha e ka thënë fare qartë se nuk ka ndërmend të prekë atë pikë të nenit kushtetues që lidhet me zgjedhjen e Presidentit, të cilën PS-ja po e hedh disa-ditës si variant për ta zgjedhur nga populli. Edhe pse Bamir Topi ka ardhur nga radhët e demokratëve, më saktë nga postet e larta drejtuese, Berisha e ka konsideruar atë si një mbështetës të Ramës, nisur edhe nga vota e kreut të shtetit në zgjedhjet e fundit lokale.

Ditët e fundit kemi parë, sikundër ka deklaruar edhe z. Rama pas humbjes në zgjedhjet lokale, të artikulohet shpesh herë një çështje që duket sikur ai e ka vënë edhe si kusht për hyrjen e opozitës në Parlament, atë të ndryshimeve kushtetuese. Në fakt, flitet për një grup juristësh që është ngritur brenda selisë rozë. Sa do të jeni ju i gatshëm të ndërhyni sërish në ligjin themeltar të shtetit, në rast se zoti Rama do t’jua vendosë këtë si kusht për mbarëvajtjen e dialogut politik në Parlament?

Ajo që unë do t’i këshilloja ish-sekretarit të Përgjithshëm të PS-së dhe ish-presidentit të Republikës, z.Meidani; ish-gjeneral Miosiut; ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtar i kryesisë së PS-së, z.Mark Abdia; ish-deshendentin direkt të diktatorit Hoxha dhe me radhë, që të merren me statutin e Partisë Socialiste, meqenëse kanë vendosur të konsumojnë muajin gusht me problematika. Pra, unë mendoj se do të ishte ndihma më e madhe që këta zotërinj mund t’i japin partisë së tyre. Kjo ishte përgjigjja ime për këtë proces për të cilin ju pyetët.

Zoti Kryeministër, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar ju u shprehët se, përveç reformës zgjedhore, që është pjesë e paketës që ju i ofroni opozitës, do të ketë edhe oferta të reja për PS-në. A do të jetë pjesë e kësaj oferte edhe zgjedhja e një presidenti konsensual në vitin 2012?

Oferta ime është zbatimi dhe respektimi i Kushtetutës. Unë nuk e bëj këtë për interesin e mazhorancës apo të qeverisë, por e bëj këtë për interesin jetik të çdo qytetari shqiptar, respektimi i Kushtetutës së vendit. Ju e shihni se z. Rama e pati Presidentin. Presidenti votoi për të, kjo u faktua me votë. Unë dua të theksoj këtu se janë jo të paktë ata që më thonë a ndiheni i tradhtuar nga ky veprim. Absolutisht, nuk ndihem aspak i tradhtuar, sepse duhet të jeni të bindur se thelbi i përpjekjeve të jetës sime ka qenë që njerëzit të votojnë të lirë. Këtë ideal nuk mund të ma errësojë as edhe një interes tjetër i ngushtë. Jo! Njerëzit do të votojnë për atë që duan. Zoti Rama e pati Presidentin me mish e me shpirt, sepse ai që të jep votën të jep shpirtin e tij politik, ai firmos për ty, me vullnetin e tij politik. Dhe çfarë i solli kjo? 140 mijë vota më pak në rang vendi, 10 999 vota më pak në Tiranë. Sepse, në fund të fundit, secili këtu, në një vend të lirë, ka vetëm një votë. Zoti Rama e ka të vështirë të nxjerrë mësime. A mund të më thoni: kush duhet të prevalojë, të mbizotërojë: flirtet, prapashpinëzat, apo Kushtetuta? Sigurisht do të mbizotërojë Kushtetuta. Këta që pendohen bëjnë mirë që pendohen, por kur të takon shumë herë të pendohesh, kthehesh në pendesë. Duhet ta kuptojmë këtë.

Që ta kuptojmë më qartë: Nuk ka vend për ndryshime kushtetuese?

Këtu u fol konkretisht për Presidentin e Republikës. Unë u përgjigja se Presidenti i Republikës do të zgjidhet tërësisht në përputhje me Kushtetutën. Dhe kjo nuk është absolutisht në interes tim apo në interes të qeverisë, por është tërësisht në interesin e rendit kushtetues dhe të qytetarëve. Të kërkosh ndryshime kushtetuese, sepse do ta fusësh Presidentin gjysmë në xhep, ndërkohë që e ke në xhep plotësisht dhe nuk të dha asgjë, më thoni ju lutem, sa racionale është kjo? Gjërat duhet të kenë thelbin e arsyes. Çfarë i dha atij Presidenti? 140 mijë vota më pak, me gjithë votën e tij pro.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›