Shpërthimet, banorët bllokojnë kamionët e ushtrisë
BERAT- Banorët e fshatit Trepan në Berat kanë protestuar kundër një poligoni të demontimit të municioneve, ngritur pranë zonës ku ata banojnë.
Banorët thonë se shpërthimet kanë dëmtuar tokat e mbjella, pemët frutore, kanë vrarë bagëtitë dhe u kanë dëmtuar rëndë banesat. Çdo ditë, dhjetëra kamionë shkarkojnë predha dhe mina të cilat më pas shkatërrohen me eksploziv. Zona e zgjedhur për çmontim më parë ka qenë një fushë e mbjellë me grurë, por që tani nuk mund të përdoret. Banorët e zonës janë të shqetësuar për pasojat e këtyre shpërthimeve. Sipas tyre, bëhet fjalë për banesa të dëmtuara nga dridhjet e tokës, por edhe nga kimikatet që shpërndahen në tokë dhe në ajër. Pas shumë ankesash banorët e fshatit dolën të zënë rrugën për të penguar kamionët e ushtrisë, që të shkarkojnë municione. Mes ushtarakëve dhe banorëve pati edhe debate, ndërsa ushtarakët janë përpjekur të shpjegojnë se shpërthimet nuk janë të rrezikshme. Kryeplaku i fshatit thotë se gjendjen e ka bërë prezente në instancat shtetërore, pasi ka dëme të mëdha në tokat e mbjella me drurë frutorë, por edhe për blegtorinë. Fshati ky kryhen shpërthimet është 10 kilometra larg në vijë ajrore nga Berati, ku shpesh dëgjohen zhurmat e shkaktuara nga municionet.