E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH, vende të reja pune për studentët e sapodiplomuar

SHKRUAN: Sabina Veizaj 29-07-2011 11:12

Nëqoftëse tani flitet për krizë në tregun e punës dhe sidomos për të sapodiplomuarit, ky nuk është rasti për studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës. Studentët e këtij Korpusit Qendror, të degëve të inxhinierisë elektrike, elektronike apo informatike, që janë në vitin e fundit të studimeve, do të kenë të garantuar zhvillimin e praktikës dhe vendin e punës pranë Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Kjo do të garantohet falë marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar ditën e djeshme në mjediset e Universitetit Politeknik të Tiranës; mes drejtorit të KESH-it, Ëngjëll Zeqo, dhe rektorit të Universitetit, Jorgaq Kaçani. Drejtori i KESH-it, Ëngjëll Zeqo, në fjalën e mbajtur pas nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë u shpreh se institucionalizimi i kësaj marrëveshjeje do t’i shërbejë studentëve dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Nga ana e tij rektori i Politeknikut, Jorgaq Kaçani, u shpreh se bashkëpunimi mes universitetit dhe KESH-it është mjaft i rëndësishëm dhe i veçantë për studentët. Rektori Kaçani vlerësoi KESH-in si një institucion serioz në punën dhe performancën e tij dhe në veçanti drejtorin Zeqo, për mundësimin e lidhjes së kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që studentët e universitetit që ai drejton të kenë një mundësi reale që njohuritë teorike në vitet e tyre të studimit të mund t’i praktikojnë pranë këtij institucioni, duke marrë eksperiencë nga punonjësit profesionistë. Gjithashtu, ai u shpreh se, mbi të gjitha, mundësia e punësimit është shumë e rëndësishme në këtë periudhë, ku tregu i punës është kaotik dhe sidomos për të sapodiplomuarit është e vështirë të gjesh punë lehtë. Edhe studentët e viteve të fundit të degëve të inxhinierisë elektrike e vlerësuan si shumë të rëndësishme këtë marrëveshje mes universitetit të tyre dhe Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Ata u shprehën se deri më tani kanë qenë të ankthshëm përsa i përket të ardhmes së tyre të punësimit, pasi gjetja e një pune sidomos për të sapodiplomuarit pa eksperiencë është shumë e vështirë, pavarësisht rezultateve të tyre në fakultet, dhe kjo marrëveshje i mbushi me optimizëm dhe u ndezi një dritë jeshile për nisjen e karrierës së tyre. Studentët e politeknikut do të kryejnë praktikat mësimore pranë KESH-it dhe në bazë të rezultateve do të punësohen për pozicionet përkatëse, në bazë të diplomës që do të marrin, në këtë institucion. Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar dje mes rektorit Jorgaq Kaçani dhe drejtorit të KESH-it, Ëngjëll Zeqo, është e para marrëveshje e tillë e nënshkruar mes dy institucioneve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›