E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: U arritën standardet në zgjedhje

 Gjatë një konference për shtyp nga Këshilli i Ministrave, Berisha ka shprehur mirënjohje për të gjitha ata që ndikuan për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si monitoruesit, komisionerët, vëzhguesit ndërkombëtarë, etj.  Berisha tha se në këto zgjedhje u arritën standardet e kërkuara. “Në të vërtetë, kënaqësia ime e parë e pamasë kanë qenë pikërisht standardet e këtyre zgjedhjeve. Unë mendoj se kjo qeveri u faktoi shqiptarëve dhe botës vullnetin e saj të hekurt që qytetarët e këtij vendi të votojnë më të lirë dhe më mirë se kurrë. Sikundër, dua të theksoj se shoqëria shqiptare është shoqëri shqiptare. Unë ju garantoj se nuk ka ndonjë vend dhe unë nuk di ndonjë të tillë, ku standardet të jenë respektuar në mënyrë të përsosur. Nuk ka më keq se sa të blihen vota, por kjo ka ndodhur në mënyrë jo kaq të rrallë në vende me demokraci më të konsoliduara, nuk ka më keq se sa të falsifikohen dokumente, por kjo ka ndodhur edhe në demokraci të stabilizuara dhe ligji ka vepruar. Nuk ka më keq se sa të ketë përplasje dhe konflikte, por unë mund të citoj këtu zgjedhje të vendeve me demokraci më të zhvilluara, ku ka pasur përplasje deri me humbje jete”-tha kreu i qeverisë shqiptare.

Pyetjes së bërë, se a i keni përcaktuar me LSI-në se çfarë pjese do t’i besoni asaj në kabinetin e ri qeveritar dhe kur shqiptarët do të njihen me këtë kabinet?, kryeministri Berisha u përgjigj se koalicioni i ri nuk do të ngrihet mbi bazë karrigesh por ideshë për integrimin e vendit.” Koalicioni Aleanca për Ndryshim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë rënë dakord që të nisin negociatat për qeverinë e re në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta. Këtu unë dua të falënderoj shumë zotin Meta për mirëkuptimin dhe përgjegjësinë që gjeta te ai. Kjo është dëshmi e një fakti; që këto dy forca politike bashkohen për parime dhe jo për karrige. Ne nuk donim të demobilizonim administratën në 2 muaj. Në variantin më optimal, qeveria nuk mund të krijohet para datës 10 shtator”-tha më tej ai.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›