E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Rama të zbatojë statutin; Blushi: Humbi zgjedhjet

Deri më tani, Ben Blushi dhe Arben Malaj kanë qenë dy zyrtarë të kësaj partie, të cilët kanë menduar deri diku për të paraqitur kandidaturën për të drejtuar partinë pas largimit të Ramës.

“Sigurisht që Partia Socialiste në vitin 2005, pas dorëheqjes së ish-kryetarit të saj Nano, për t’i eliminuar eksperiencat negative nga partitë e majta në vendet evropiane, në statut të saj përfshin një klauzolë, që kryetarit të partisë, në momentin që nuk fiton zgjedhjet parlamentare, mandati i bie. Pra, nuk është problemi dorëheqja, por krijohet një vakuum, i cili kërkon zgjedhje të reja në parti. Unë do ta mendoja më shumë sesa një përgjegjësi individuale e kryetarit të partisë, pavarësisht se ky sistem brenda funksionimit të partisë i jepte më shumë autoritet dhe më shumë përgjegjësi kryetarit”-deklaroi Arben Malaj, në një intervistë publikuar tek Radio Evropa e Lirë.

Malaj thekson se filozofia e Ramës nuk funksionoi realisht. “Partia Socialiste duhet t’i shpëtojë krijimit të një ambienti jobashkëpunues, një gare se kush kë negativizon më shumë, kush kë bën më shumë përgjegjës, dhe rruga më e mirë në këto raste, prandaj është vepruar me qetësi në vitin 2005, është respektimi i statutit. Ky respektim nuk duhet parë si një mundësi për një garë abuzive brenda Partisë Socialiste; duhet parë si një moment qetësie”-tha më tej ai.

Një ditë më parë, edhe zyrtari tjetër Ben Blushi pranoi publikisht humbjen e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste. “Mungesa e një programi politik e la Partinë Socialiste sërish në opozitë. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po përpiqet të fshehë humbjen. Filozofia e tij ka dështuar dhe për këtë nuk mund të akuzohen komisionerët”, tha Blushi  gjatë një interviste për të përditshmen “Panorama”.

Është hera e parë që pas zgjedhjeve parlamentare të 28 – qershorit që një eksponent i lartë i selisë rozë, pranon humbjen dhe për këtë bën përgjegjës pikërisht kryetarin e kësaj partie Edi Rama, i cili garoi në këto zgjedhje pa një program të mirëfilltë qeverisës. Blushi thotë se Edi Rama duhet të pranojë humbjen dhe t`u shpjegojë socialistëve, se cila ishte arsyeja që nuk e solli në pushtet, partinë më të madhe opozitare në vend.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›