E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: U dhanë 6 mijë leje legalizimi për blerjen e votave të 11 majit

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka deklaruar se qeveria e kryeministrit Edi Rama dha 6 mijë leje legalizimi para zgjedhjeve në mënyrë për të favorizuar blerjen e votave të 11 majit.

Duke iu referuar raportit të delegacionit të Këshillit të Europës që observoi zgjedhjet, Berisha tha se “ndërhyrjet që u bënë, ishin një damkosje e re e madhe e farsës elektorale të 11 Majit”

Ai vuri në dukje se ky raport kërkon që të analizohet, vota e diasporës.

“Natyrisht ndërhyrjet brutale në procesin e farsës elektorale ishin të shumëllojta, por edhe njëherë, në çdo vend dhe në çdo shtet, një proces zgjedhor asgjësohet dhe shndërrohet në farsë elektorale kur partia bëhet shtet dhe shteti parti.

Ky është kushti i të gjitha kushteve për të asgjësuar procesin e drejtë zgjedhor, për ta shndërruar atë në farsë.

Ky është kushti më themelor.

Në rastin konkret, sot do paraqes para jush abuzimin masiv me pushtetin ekzekutiv të agjencive të shtetit elektoral për të blerë vota në shkelje flagrante me ligjet e vendit dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve të drejta”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së iu referua edhe Kodit Zgjedhor, ku sipas tij, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet “propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh”.

“Një kujtesë ligjore; neni 91 i Kodit Zgjedhor, pika 4 thotë, katër muaj para datës së zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi apo nxjerrja e akteve ligjore që parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë si: rritje pagash e pensionesh, mbështetje ekonomike ose sociale, ulje apo heqje taksash, amnisti fiskale, dhënie pasurish apo shpërblimesh.

Në harkun kohor të ndaluar me ligj, në qarqet e vendit u realizuan, në Berat 419 legalizime, në Dibër 123 legalizime, në Durrës 928 legalizime, në Fier 801 legalizime, Gjirokastra 98, Kukësi 124 legalizime, Tirana 1931 legalizime, Vlora 590 dhe Lezha 116. Në total janë dhënë 6 mijë legalizime. Imagjinoni këto, minimumi 3 gjer në 5 vota, se sa u  blenë vetëm me lejet e legalizimit”, tha më tej Berisha.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›