E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Uragani i protestës trembi qeverinë. Policia e nisi dhunën, goditi zyrtarët e PD

Kreu i demokratëve, Sali Berisha reagoi gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale për protestën e një dite më parë. Sipas tij, kryeministri Edi Rama u tremb nga “uragani” i protestuesve.

“Para së gjithash dëshiroj të përshëndes ata dhjetëra mijëra qytetare e qytetarë, opozitare e opozitarë, që dje me uraganin e fuqishëm në kryengritjen tonë paqësore i kallën datën dhe tmerrin narkoregjimit të Edi Ramës. Të përshëndes përzemërsisht herionjtë tanë në qelitë e komisariateve, të cilët përballë torturave çnjerëzore, goditjeve shtazore që morën nga narkopolicë të droguar, qëndruan të pamposhtur dhe nuk pranuan të japin asnjë deklaratë siç donin banditët që i arrestuan”, tha ai.

Berisha akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës shtazarake ndaj qytetarëve dhe të arrestuarve. Sipas tij, për herë të parë është përdorur edhe spraj që përdoret kundër arinjve ndaj qytetarëve.

“Në mënyrë të programuar ata përdorën një armë me fuqi të njohur letale siç është spraji kundër ariut, i cili është dhjetëra herë më i fuqishëm se spraji që përdoret kundër njeriut. Përdorimi i këtij spraji përbën një krim, një vepër të rëndë penale dhe është i ndaluar në të gjithë konventat. Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve. Në mënyrë selektive janë goditur dhe shënjuar me spraj drejtuesit kryesorë të PD dhe deputetët e saj Flamur Noka, Luçiano Boçi, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Blendi Himçi, Aulon Kalaja dhe shumë të tjerë. Me këtë rast dënoj me forcën më të madhe shtazërinë e treguar ndaj demonstruesve”, u shpreh Berisha

Kreu i demokratëve iu përgjigj pyetjeve të ndjekësve për format e protestës. Ai nuk përjashtoi forma të tjera si ngritja e çadrave apo greva urie, ndërsa u bëri thirrje aleatëve, shoqërisë civile dhe partive të vogla të bashkohen. Ai kërkoi një aksion të plotë opozitar për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama.

“Çdo variant do studiohet. Por një gjë i dashur Muharrem, ne nga protesta s’heqim dorë kurrë dhe nuk ndalemi. Ne do bëjmë gjithçka për t’u bashkuar me forcat e tjera politike opozitare dhe unë prapë sot u bëj thirrje atyre. Është koha të veprojmë së bashku, kundër një armiku, kundër një armiku të egër të qenies shqiptare. I bëj thirrje shoqërisë civile, që ka mbetur jashtë kontrollit të Edi Ramës, të bashkohet me ne. Shikoni çfarë qëndrimi mizor mbajtën ndaj Aulon Kalasë, një nga veprimtarët më aktivë të shoqërisë civile, i cili në qindra protesta kurrë nuk ka protestuar me dhunë”, theksoi ai.

Kreu i demokratëve Sali Berisha komentoi edhe kritikat për strategjinë e protestave. Sipas tij,  frika nga pasojat është pengesë për shumë qytetarë.

“Çdo njeri që i shtron pyetjen vetes dhe thotë, çfarë duhet të bëj unë në këto rrethana? Duhet të hesht, firmos triumfin e të keqes së Edi Ramës. Duhet të protestoj, firmos mospajtimin me këtë të keqe, qëndron në lartësinë e ndërgjegjes njerëzore që nuk pranon një gjë të tillë, idealeve tua, por dhe të guximit për t’ju kundërvënë këtij regjimi.

Ndaj dhe besoj se protestat, protestat janë dëshmia më e fuqishme, më e rëndësishme e ekzistencës së një opozite të pavarur që nuk pajtohet, por janë gjithashtu një mision që synon që synon largimin e Edi Ramës nga pushteti. Na thoni pak, ata të cilët shtrojnë këtë pyetje, të pyesin veten, çfarë duhet bërë tjetër përveç protestës?  Në parlament ju e shihni, e kanë mbyllur parlamentin. Ju e dini që pasi ka bllokuar hetimet e SPAK-ut, nuk lejon asnjë komision hetimor në parlament Edi Rama”, tha kryedemokrati.

Megjithatë, ai theksoi se protesta paqësore mbetet angazhim i Partisë Demokratike. Berisha deklaroi se reagimi do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›