Protesta e PD- 11 arrestime, 15 procedime, mes tyre edhe 2 të mitur. Klevis Balliu nën hetim

Policia e Shtetit ka arrestuar në flagrancë 11 persona, pas protestës së Partisë Demokratike të zhvilluar pasditen e djeshme në kryeqytet (17 prill).
Ata akuzohen për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Po ashtu, Policia bën me dije se janë proceduar penalisht 15 persona, mes tyre edhe 2 të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç, për “Prishjen e qetësisë publike”.
Nën hetim është vënë edhe deputeti Klevis Balliu, i akuzuar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Sipas Policisë, 5 efektivë mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas Policisë, gjatë protestës u sekuestruan 45 molotovë, të përgatitur nga protestues për të vijuar sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe punonjësve të rendit.
Grupi hetimor njofton se po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.
Protesta e djeshme e Partisë Demokratike në Tiranë u shoqërua me tensione dhe akte dhune. Pas fjalimit të kryedemokratit Sali Berisha, protestuesit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt Kryeministrisë, duke shkaktuar përplasje me Policinë e Shtetit. Forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e turmës, ndërsa situata u zhvendos më pas para Parlamentit.
Si pasojë e përplasjeve, katër persona u lënduan, mes tyre një efektiv policie dhe tre protestues, përfshirë deputetin Luçiano Boçi dhe aktivistin Aulon Kalaja. Ata u transportuan në Spitalin e Traumës dhe gjendja e tyre u raportua e stabilizuar.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Tiranë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 17.04.2026, arrestohen në flagrancë 11 shtetas.
Procedohen penalisht 15 shtetas të tjerë.
Gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.