E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Veliajn do ta denoncojmë për mashtrim publik, përshkallëzoi qëndrimin ndaj prokurorit

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se në bashkinë e Tiranës po digjen dokumente, ndërsa njoftoi se kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj nesër do të denoncohet për mashtrim publik.

Në një deklaratë për mediet nga selia e kësaj partie, Berisha u shpreh se e dënon me forcë atë që e cilësoi qëndrim banditesk të Veliajt duke iu referuar publikimit të djeshëm të kryebashkiakut të Tiranës. “Mashtroi qytetarët shqiptarë, sikur prokurori i paska thënë atij një fjalë të dënueshme”, u shpreh Berisha.

“E informoj Erion Veliajn dhe publikun se, ai nesër do të denoncohet për mashtrim publik dhe shihen modalitetet që kësaj dosje t’i bashkohet edhe dosja e Griseldës, e cila nuk mund t’i harrohet. Me mashtrimin e djeshëm ndaj publikut, Erion Veliaj tregoi se, për t’i shpëtuar krimeve që ka kryer është i aftë të ndërmarrë çdo veprim”, tha Berisha.

“Unë ju deklarova se ai po kërcënon indirekt dëshmitarë, duke i dërguar mesazhe personale, apo duke kërcënuar prokurorin se ‘e kemi personale’. Por dje ai e përshkallëzoi qëndrimin e tij kriminal”, vijoi kreu i PD-së.

Kreu i PD gjithashtu u shpreh se, në qeverisjen e PD, Shqipëria nuk do të ketë kurrë prokurori politike.

“Ajo që kam deklaruar dhe deklaroj unë, se kurrë në qeverisjen e PD, Shqipëria nuk do të ketë prokurori politike. Këtë ta ketë të qartë çdo qytetar shqiptar. Prokuroritë politike janë prokurori diktaturash”, tha Berisha.

Berisha e krahasoi Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK)-un si prokuroria e Enver Hoxhës.

“Unë ftoj qytetarët, meqënëse është një gjeneratë e tërë që nuk ka jetuar diktaturën dhe më shumë, të mos harrojnë se gjatë diktaturës prokuroria staliniste e pushtetit të Enver Hoxhës, krahas dënimeve politike, jepte me dhjetëra, qindra dhe mijëra dënime për krime jopolitike ordinere. Për ata që e rikujtojnë atë kohë, Skapi sot bën të njëjtën gjë krahas dënimeve politike për llogari të Edi Ramës jep dhe dënime të tjera. Por, e para ishte prokurori politike, dhe e dyta është po kështu kaq politike. Dhe kështu, Shqipëria një vend i lirë, sovran i pavarur nuk mund të ketë kurrë, dhe nuk do ketë kurrë prokurori politike. Kjo është përgjigja ime për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›