Rama: Integrimi në BE, hakmarrje për të gjitha poshtërimet që na janë bërë për 100 vjet

TIRANË, 25 shkurt /ATSH/ Kur na ndajnë 75 ditë nga zgjedhjet e 11 majit, kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS, zhvilloi sot një takim me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13 dhe 14 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Edi Rama foli për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
“Ky është një moment historik për Europën, edhe për ne dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë dritare që është hapur që të vendosim Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Europian. Tani, kjo nuk është një fjalë goje dhe nuk është as abstrakte, sepse ka shumë gjëra që ne kemi gojëplot të themi, shumë gjëra”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi më tej se “si ka mundësi që ne nga vendi më i shpërfillur, më i pakonsideruar në procesin e afrimit dhe të anëtarësimit në Bashkimin Europian, sot konsiderohemi vendi pararojë në këtë proces?!”.
Sipas Ramës, Bashkimi Europian nuk bën dhurata dhe nuk bën politikë në këtë proces, por bën vetëm hesape.
Duke u ndalur te korrupsioni, Rama tha se flitet më shumë se më parë, për faktin se vendi dhe shoqëria është angazhuar fort në luftën kundër korrupsionit.
“Pastaj vjen politika. Politika, madje që të jem i saktë, përdoret për të penguar, jo për të nxitur dhe afruar. Kur ti i ke bërë detyrat dhe atyre nuk iu vjen përshtat sepse kanë ca halle të tjera, thonë: “Jo, se nuk i ke bërë mirë”, edhe të lënë aty të presësh, siç na lanë ne nja tre vjet që të kapërcenim nga kandidati në negociata, po politikë që të thotë: “S’ka problem, se nuk e ke bërë këtë, por ne na duhesh dhe do të afrojmë”, kjo nuk ekziston, nuk ekziston! Të ishte se do ekzistonte, do kishin afruar Ukrainën. S’është Ukraina më afër sesa ne. Pse jemi ne më afër? Sepse kemi bërë detyrat! Dhe e dini pse sot flitet për korrupsionin më shumë sesa ç’flitej më parë? Jo se ka më shumë korrupsion, por sepse është e provuar, e studiuar, e analizuar, e shkruar, që kur një vend dhe një shoqëri angazhohen fort në luftën kundër korrupsionit, ndodhin dy gjëra përpara sesa të kapërcehet kjo fazë. E para, rritet perceptimi i korrupsionit, se flitet më shumë për korrupsionin dhe e dyta, rezultatet, objektivat që arrihen mbulohen nga një zhurmë shumë e madhe dhe nga një thashethemnajë shumë e madhe, që është ajo që ne jetojmë sot, dhe këto nuk i them unë. Janë të studiuara, të shkruara, të analizuara”, tha Rama.
“Tani, nëse ka korrupsion, ku ka korrupsion? Korrupsion ka në garat për fondet, tenderat apo jo? Ajo është një nga zonat më të prekura nga korrupsioni, sepse bëhet fjalë për shpërndarjen e parave”, shtoi më tej Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se Shqipëria është e para në klasifikimin e integritetit të prokurimeve publike në rajon.
“Sot – nuk e themi ne këtë, po e thotë Bashkimi Europian, përmes strukturës së vet, që merret me analizën faktike, jo me gazetat dhe me portalet dhe me kanalet, – Shqipëria është e para në klasifikimin e integritetit të prokurimeve publike në rajon dhe është me diferencë. Ne jemi 80 pikë, vendi i dytë është 71 pikë, 71 pikë, që është Mali i Zi, që është bashkë me ne, më afër derës së anëtarësimit. Pastaj vijnë të tjerë. Ne jemi të parë në prokurimet publike. Nuk kemi qenë në këtë pozicion, kemi qenë ibret. Sot jemi të parët. Ku është tjetër? Është tek të gjitha ato radha e histori që për një certifikatë paguheshin lekë përpara se shkohej aty tek kopshti, te njësia pesë. Një tmerr i madh: “Jo kam letër, jo s’kam letër. Hajde nesër”, “jo s’punon printeri, s’kam bojën e printerit”, radhë e gjatë, për të marrë një dokument që ti ekziston. Të gjitha këto nuk ekzistojnë më! E dini se janë 47 milionë të llogaritura, 47 milionë kontakte për të marrë një dokument me e-Albania, që tani merret edhe nga brenda dhe nga jashtë? Tani ata që janë jashtë në diasporë, nuk ka nevojë fare të vijnë në Shqipëri për të bërë letra të caktuara. I bëjnë me telefon edhe nga Australia. 47 milionë kontakte që më parë ishin, “jo më jep ndonjë gjë, jo të jap ndonjë gjë, jo prit, jo hajde, jo fut mik”, por natyrisht që unë nuk e kam se si ta mohoj që të kemi akoma një problem jo të vogël me Hipotekën”, tha Rama.
Futjen e Shqipërisë në BE, kreu i qeverisë tha se e përjeton si hakmarrje.
“Dhe kjo është diçka që unë personalisht, sinqerisht, personalisht, unë e përjetoj si hakmarrje. Hakmarrje për të gjitha llojet e poshtërimeve që na janë bërë njëqind vjet. Për faj të tyre, për fajin tonë, nuk ka pikë rëndësie. Hakmarrje për gjithçka kanë hequr shqiptarët, ç’keni hequr ju bashkë me mua e të tjerët, nuk ka rëndësi, qoftë dhe njëherë, duke kaluar atë kufirin atje me pashaportën, duke të parë ai kështu sikur për shef një bandit dhe mbi të gjitha hakmarrje për fëmijët tanë”, tha Rama.
“Duhet të fusim Shqipërinë në BE. Ai moment ndryshon gjithçka. Është një ndryshim kolosal, sepse nga ai moment është njësoj sikur hyre, u bë martesa, hyre në shtëpi dhe aty je pjesë e shtëpisë. Dhe nuk të sheh dot njeri nga lart-poshtë, sepse siç të bllokojnë sot fqinjët, se kështu i teket del njëri dhe e bëjnë hero, edhe pastaj të lënë ty një vit që “jo, po s’e shiko se do të bësh”. S’të bëjnë më dot asgjë, je komplet i barabartë, nuk varesh më nga asnjëri”, u shpreh Rama.
/r.e/