E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vendosim minimumin jetik prej 200 eurosh, dyfishojmë rrogat dhe pensionet

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot Foltoren e Ripërtëritjes në Dibër, ku prezantoi disa nga zotimet e opozitës për përballimin e problematikave ekonomike dhe sociale me të cilat po përballen qytetarët shqiptarë.

Në fjalën e tij, Berisha u ndal te varfëria, pensionet e ulëta, vështirësitë për blerjen e ilaçeve, mbyllja e vendeve të punës dhe largimi i shqiptarëve nga vendi.

Ai siguroi se kur PD të vijë në pushtet, në javën e parë do të vendosë minimumin jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar.

Berisha premtoi gjithashtu dyfishimin e pagave dhe pensioneve, duke theksuar se këto masa do të jenë pjesë e një programi për nxjerrjen e vendit nga ajo që e cilësoi si emergjencë ekonomike dhe sociale.

Berisha kritikoi me tone të ashpra nivelin e pensioneve dhe të ndihmës ekonomike, duke u ndalur te vështirësitë që përballojnë pensionistët dhe familjet në nevojë për të siguruar ushqimet dhe ilaçet.

Kreu i PD-së u ndal te situata ekonomike dhe ndikimi i forcimit të lekut në sektorët prodhues dhe eksportues.

Berisha theksoi se forcimi i lekut ndaj euros dhe dollarit po vështirëson aktivitetin e bizneseve eksportuese, ndërsa paralajmëroi për mbylljen e vendeve të punës në industrinë e tekstileve, këpucëve dhe fasonerisë.

Sipas liderit të opozitës, vështirësitë e sipërmarrjeve eksportuese po ndikojnë drejtpërdrejt te punësimi dhe të ardhurat e familjeve shqiptare. Ai akuzoi qeverinë për keqmenaxhim ekonomik dhe korrupsion, duke argumentuar se të ardhurat publike nuk po përkthehen në përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Berisha u ndal edhe te largimi i shqiptarëve dhe rënia e lindshmërisë, duke e cilësuar shpopullimin si një nga sfidat më të rënda të vendit. Sipas tij, mungesa e mundësive për punësim, vështirësitë për të përballuar kostot e jetesës dhe pamundësia e të rinjve për të krijuar familje po i shtyjnë ata të kërkojnë një të ardhme jashtë Shqipërisë.

Në këtë kontekst, kreu i PD-së theksoi se ripërtëritja e vendit duhet të nisë nga përmirësimi i kushteve ekonomike dhe nga një qasje e re ndaj qytetarëve. Ai u shpreh se rritja ekonomike duhet të përkthehet në paga dhe pensione më të larta, shërbime shëndetësore më të mira dhe arsim cilësor.

/m.m/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›