E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dënoj me forcë dhunën ndaj studentëve, qytetarët t’i bashkohen protestës

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dënoi sot dhunën e ushtruar ndaj studentëve në protestë, ndërsa u bëri apel gjithë qytetarëve t’i bashkohen nesër protestës studentore.

Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha theksoi se studentëtë kanë nevojë për mbrojtjen dhe mbështetjen e qytetarëve.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e PD-së, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve dhe kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës, nesër në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se situata sonte ishte ajo e një terrori të paparë.

“Dita e sotme dhe nata ishin dita e dhunës më të egër shtazore të regjimit ndaj rinisë studentore që nga dhjetori ’90 e gjer sot. Në një akt kriminal dhe pa asnjë motiv, studentë dhe studente, qytetarë të moshave të thyera, gazetare dhe gazetarë që bënin detyrën e tyre u agresuan në mënyrën më barbare. U thyen gjymtyrët, u gjakosën, u çanë në kokë, u goditën dhe morën plagë në gjoks dhe në gjithë trupin, në dhjetëra e dhjetëra raste”, tha Berisha.

Sipas tij, “dëshmitarë okularë kanë dërguar video të cilat faktojnë barbarinë mbi qytetarin duke i thyer gjymtyrët, në kohë kur ai nuk po kryente në mënyrë absolute asnjë akt ndaj askujt, dhe e morën pa ndjenja, e plasën në makinën e tyre”.

“Të tjerëve, banorëve, u kanë hedhur në ballkon bombolat e gazit. Gazetarëve të tjerë u kanë çarë kokën. Protesta studentore e thirrur nga studentët dhe sindikata e universiteteve mori mbështetje të gjerë popullore nga qytetarët”, tha Berisha.

“Janë me dhjetëra të shtruar në spital. Deputetë të Partisë Demokratike kanë ndjekur me shqetësim të madh gjendjen e të plagosurve. Qarkullojnë dhe lajme të pakonfirmuara, të cilat nuk i bëj publike gjersa të konfirmohen”, shtoi ai.

“Duke dënuar me forcën më të madhe këtë dhunë të pashembullt, ftoj të gjithë anëtarët dhe aktivistët e Partisë Demokratike, ftoj të gjithë qytetarët shqiptarë, pavarësisht nga bindjet politike, ftoj të gjithë prindërit e studentëve dhe çdo të ri të vendit të mbështesin protestën e studentëve, kërkesën e tyre për largimin e Edi Ramës nesër në të njëjtën orë, në ora 14:00, para Ministrisë së Arsimit.

“Studentët kanë nevojë për mbrojtjen e qytetarëve, për mbështetje. Ndaj dhe le të bashkohemi nesër student, prindër, të rinj, qytetarë, si të pamposhtur, siç qëndruan sot studentët që sfiduan të vërtetë, mbrojtën kërkesat e tyre. Shpresoj dhe uroj që kjo dhunë barbare të marrë dënimin e merituar nga e gjithë rinia universitare dhe parauniversitare, por edhe ajo në punë. Nesër të gjithë në mbështetje të studentëve”, përfundoi Berisha.

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›