Protesta e studentëve, mbi 8 orë tensione, përplasje me policinë dhe dëme në biznese

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Protesta e studentëve dhe qytetarëve para Ministrisë së Arsimit është mbyllur pas më shumë se tetë orësh tensione, përplasje me policinë, djegie të koshave të mbeturinave dhe dëmtime të institucioneve apo sipërmarrjeve private.
Protesta, e cila nisi në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit, u përshkallëzua me akte dhune dhe tensione. Gjatë saj, protestuesit thyen xhamat dhe hynë në ambientet e të paktën dy bizneseve në Rrugën e Durrësit.
Protestuesit pasi janë përplasur me policinë, kanë goditur me gurë dhe sende të forta xhamat e një institucioni privat financiar, si dhe një biznesi rrobash, duke i dëmtuar ambientet. Më tej kanë hyrë në ambientet e institucionit financiar, dhe pasi kanë marrë sendet dhe orenditë i kanë hedhur në rrugë duke u vënë flakën, siç vërehet dhe nga pamjet e xhiruara nga ATSH.
Protesta e studentëve dhe qytetarëve nisi në ora 14:00, teksa prej fillimit ka patur studentë që kanë goditur me gurë e sende të forta, fillimisht drejt godinës së Ministrisë së Arsimit dhe më tej Policinë.
Pavarësisht ndërhyrjes së Policisë, studentë dhe qytetarë vijuan qëndresën deri në orët e mbrëmjes. Gjatë vijimit të protestës, studentët u kanë vënë flakën kartonëve, koshave të mbeturinave, si edhe disa reklamave të vendosura përgjatë rrugës, si dhe kanë hequr kangjellat e vendosura përgjatë rrugës.
Protestuesit më tej u zhvendosën nga rruga e Durrësit tek bashkia e Tiranës, ku kanë qëlluar me gur drejt godinës së saj dhe shpërthyen derën e saj. Policia ndërhyri menjëherë për të shpërndarë protestuesit si dhe shoqëroi disa prej tyre.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën e studentëve që protestuan.
Policia e Shtetit informoi se pas incidenteve të ndodhura janë shoqëruar 23 protestues për veprime të mëtejshme procedurale.
Ndërsa janë lënduar 6 punonjës policie të Forcës Kombëtare të Sigurisë, si dhe një gazetare.
Ndërkohë që në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) janë paraqitur tre protestues me shqetësime shëndetësore pas ekspozimit ndaj gazit. Pas konsultës me mjekët, dy prej tyre janë larguar nga spitali, ndërsa personi i tretë vijon ekzaminimet nga stafi i urgjencës.
1 nga 30/k.s/a.f/r.e/