Berisha: Zero tolerancë ndaj korrupsionit për sigurinë ushqimore

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se siguria ushqimore do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij, duke shpallur “zero tolerancë” ndaj korrupsionit në këtë sektor.
“Do të bëjmë gjithçka për rivendosjen e sigurisë ushqimore, duke vendosur transparencë të plotë dhe administrim nga specialistë të shquar,” u shpreh Berisha në një deklaratë për mediat.
Ai nënvizoi se Agjencia e Sigurisë Ushqimore do të pajiset me kompetenca të plota ekzekutive dhe do të përfitojë nga një rritje e ndjeshme e buxhetit. Po ashtu, laboratorët do të modernizohen dhe do të ndërtohen kushte të kontrolluara në të gjitha pikat doganore të vendit.
“Ndaj dhe një reformë e thellë e këtij sektori është e domosdoshme. Ky duhet të jetë një sektor qendror në fushën e sigurisë kombëtare. Pra, jo vetëm që siguria ushqimore duhet të jetë çështje e sigurisë kombëtare, por duhet të jetë edhe sektor qendror. Dhe kur them këtë, ky sektor që është në fakt multidisiplinor, duhet të ketë të gjithë mbështetjen dhe financimin, të gjithë transformimin.
Së pari, qendror do jetë institucioni i sigurisë ushqimore, agjencia. Kjo agjenci do të ketë të gjitha kompetencat ekzekutive. Ndaj ky institucion duhet të fitojë të gjithë fuqinë ekzekutive për të përmbushur detyrën e vet. Ky institucion duhet të dalë jashtë çdo politizimi. Laboratorët e tij duhet të jenë laboratorët më modernë. Dhe unë u garantoj se do të dy-trefishojmë buxhetin në këtë fushë”, tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se kthimi i eksporteve për shkak të mungesës së sigurisë ushqimore është një goditje e rëndë për imazhin e prodhimeve shqiptare, të cilat, sipas tij, janë me cilësi shumë të lartë.
Ai theksoi se siguria ushqimore duhet të konsiderohet një çështje e sigurisë kombëtare dhe të ketë statusin e një sektori qendror në politikat qeveritare.
“Kemi një program transformues për bujqësinë dhe blegtorinë, por ky program kërkon me çdo kusht transformimin më sigurinë ushqimore, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për eksportin. Se lajm më të keq nuk ka për tregun se sa të kthehen eksportet tona. Kthimi i eksporteve është goditje e besimit ndaj prodhimeve shqiptare, të cilat janë shumë të mira. Do bëjmë gjithçka për rivendosjen e sigurisë ushqimore duke bërë një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit. Dhe duke e vendosur këtë fushë në transparencë të plotë, në administrim të njerëzve kompetentë, të specialistëve të shquar. Në këtë mënyrë ne bëjmë jetën e qytetarëve shqiptarë më të sigurt, bëjmë gjithashtu edhe prodhimet shqiptare më të pranueshme nga tregu shqiptar dhe tregu botëror”, tha Berisha.
/rtsh.al/