E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dje N/kryetar i Bashkisë Tiranë, sot kandidat për deputet i PS. Seferi: Jam i pezulluar nga detyra

Ish-Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi i cili tashmë garon në listën e hapur për zgjedhjet e 11 majit në Kryeqytet, deklaroi se ka pezulluar pozicionin e tij që mbante prej dhjetë vitesh në këtë institucion.

Në emisionin ‘Ngjarja kryesore’ në RTSH të drejtuar nga Sonila Agostini, Seferi u shpreh se, “Në momentin që filloi fushata elektorale, por edhe më përpara, kam pezulluar pozicionin tim si N/Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Unë kam zgjedhur këtë variant sepse edhe mund të marrësh në këtë situatë dhe lejen e zakonshme. Kam vepruar kështu sepse nuk dëshiroj që edhe pse me takon leja sipas ligjit, të jem i pagur nga taksat e qytetarëve të Tiranës.”

Duke u ndalur në angazhimin e tij elektoral, Seferi vlerësoi se prioritet për të ka arritja e objektivit të Partisë Socialiste dhe jo thjesht synimi i tij personal për tu zgjedhur deputet.

 “Bashkë me gjithë kolegët e listës tonë që përfaqësojmë PS-në në Qarkun e Tiranës kemi një objeksion të madh që ka të bëjë me maksimizimin e votës socialiste. Duke njohur emër për emër të gjithë ata që përfaqësojnë listën e hapur të partisë kam bindjen që kushdo qoftë do jetë një përfaqësim i denjët i PS-së dhe elektoratit. Unë jam përgatitur që Partia Socialiste të fitojë. Nëqofse qytetarët do shikojnë tek unë personin që përfaqëson projektin e PS-së, do shikojnë tek unë dhe atë njeriun që ka eksperiencë, prej dhjetë vitesh nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, jam person që kam qenë me njerëzit e Tiranës në gjithë situatat.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›