Rama: Ia dorëzova ‘shpatën’ drejtësisë, të godasë majtas e djathtas. 11 maji sjell pasaportën europiane

Kryeosocialisti Edi Rama ka deklaruar se ai e ka dorëzuar ‘shpatën’ e ndëshkimit sistemit të drejtësisë për të sjellë barazinë para ligjit, gjë e cila sipas tij, nuk kishte ndodhur që prej vitit 1912.
Duke folur para grave dhe vajzave gjirokrastrite, Rama theksoi reforma në drejtësi duhej realizuar për të shpëtuar sistemin e drejtësisë nga presioni dhe ndikimi i politikës.
“Morëm vendimin që punët e drejtësisë t’ia linim drejtësisë dhe shpatën e ndëshkimit që në një vend demokratik e ka drejtësia nuk e ka qeveria dhe që ishte në zyrën time shpata që nga 1912 që ia kalonin njëri-tjetrit e mbanin aty.
Nuk ka rëndësi mbret, diktator, kryeministër, e mbanin shpatën aty ata. Unë e dorëzova shpatën dhe ju e kujtoni mirë që e kam thënë që na duhet një reformë në drejtësi që të shpëtojmë drejtësinë nga politika dhe na duhet një drejtësi e çliruar nga politika që të godasë majtas dhe djathtas.
Tani majtas për kë e kisha e kisha unë. Për kë e kisha majtas apo kisha ndërmend që të bënim reformën në drejtësi dhe unë të ikja në punën time sepse kjo është puna ime, dhe jo vetëm që unë nuk kam asnjë kompleks kur këta turren dhe përpiqen të manipulojnë popullin duke thënë; ore si ka mundësi, gjysmën e qeverisë në burg, që nuk është as e vërtetë kjo, sepse po t’i bëjmë llogaritë dalin ndryshe sepse kam pasur mbi 60 ministra.
Po t’i numërojmë del ndryshe, por edhe sikur të ishin gjysma do të ishte një arsye për t’u ndjerë i turpëruar apo për t’u ndjerë kryelartë përpara jush, përpara popullit që besoi kur unë thosha; ma jepni timonin pa të tjerë të prehër që të bëjmë drejtësi se me këta rreth e rrotull nuk bëhet drejtësi”, u shpreh Rama.
Ai vuri në dukje se kjo ka qenë një nga arsyet që në zgjedhjet e kaluara ka kërkuar “timonin” i vetëm në mënyrë që drejtësia të prodhonte barazinë para ligjit.
Sa i përket zgjedhjeve të 11 majit, sipas Ramës ato i hapin rrugën integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe garantimit për shqiptarët me pasaportë europiane.
“Dhe ata që më dhanë timonin do shihnin se drejtësia do godiste vetëm kundërshtarët, do të thoshin na tradhtoi, sepse ju dhe gjithë qytetarët nuk iu intereson shumë nëse drejtësia godet majtas apo djathtas, juve iu intereson të ketë një drejtësi të drejtë e cila pikërisht se godet majtas dhe djathtas ka premisën për të sjellë këtu në Shqipëri, diçka që ne nuk e kemi pasur kurrë; barazinë para ligjit.
Prandaj vij te ajo tjetra, te pasaporta europiane, te integrimi në BE sepse barazinë para ligjit nuk mund ta lini në dorë se kush vjen te Kryeministria dhe kush merr pushtetin këtu. Sepse siç e shikoni nuk kemi dakordësi, nuk mendojnë të gjithë njësoj për drejtësinë.
Ne mendojmë që drejtësia të jetë e pavarur dhe të bëjë punën e vet. Ndërsa të tjerët thonë se në 12 maj do ta shkrijmë SPAK-un”, deklaroi Rama nga Gjirokastra.
/rtsh.al/