Berisha: Zgjedhjet e 8 majit do të jenë transparente!
“Procesi zgjedhor i 8 Majit do të njohë standartet më të larta të transparencës, duke falenderuar për këtë edhe angazhimin e OSBE – ODIHR-it si dhe mbështetjen financiare që SHBA-të po i japin vëzhguesve vëndas si dhe se mazhoranca është e angazhuar për një fushatë pozitive të fokusuar te interesat e qytetarit dhe të komuniteteve”. Kjo ishte deklarata e kryeministrit Sali Berisha gjatë takimit me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit Thomas Countryman.
Kryeministri Berisha e njohu Countryman me pregatitjet që po bëhen në vend në mënyrë që procesi zgjedhor i 8 Majit të arrijë standartet më të larta ndërkombëtare dhe i rikonfirmoi atij angazhimin e plotë dhe të palëkundur të qeverisë shqiptare për arritjen e tyre.
Kryeministri theksoi se pavarsisht tentativës së kreut te PS-së Rama për të përsëritur skenarin bllokues të vitit 2007, falë kornizës ligjore konsensuale dhe bashkëpunit të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë, procesi i pregatitjes së zgjedhjeve po vazhdon me hapa të shpejtë.
Kryeministri Berisha e njohu zëvendës ndihmes sekretarin e shtetit Countryman me zhvillimet e tryezës së partive politike parlamentare, e thirrur nga Partia Demokratike, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it që i drejtohen në mënyrë specifike partive politike aktore në procesin zgjedhor për të marrë përsipër angazhimet politike dhe detyrimet ligjore që ato kanë në procesin zgjedhor. Kryeministri Berisha nënvizoi se marrëveshja e paraqitur nga mazhoranca, e cila përfshin edhe një numër kërkesash për transparencë dhe garanci të bëra nga Partia Socialiste, bën një zbërthim të detajuar të rekomandimeve të OSBE – ODIHR-it dhe do të shërbente si një garanci shtesë për një proces zgjedhor të suksesshëm.
Berisha nënvizoi se pavarësisht procesit zgjedhor, qeveria nuk e ka ulur për asnjë moment intensitetin e punës në drejtim të integrimit në BE dhe plotësimit të 12 prioriteteve të vëna. Në këtë kuadër, kryeministri e cilësoi si shumë të rëndësishëm organizimin me sukses të Seminarit të përbashkët me Komisionin Evropian ku mori pjesë dhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së zoti Stefan Fule. Ai e siguroi Countryman se mazhoranca është e gatshme që për të gjitha ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe miratimin e Avokatit të Popullit t`ia japë inisiativën opozitës me qëllim arritjen e konsensusit të nevojshëm në kuadër të plotësimit të 12 prioriteteve.
Countryman vlerësoi hapat pozitivë të ndërmarrë në dy muajt e fundit duke theksuar se dialogu dhe bashkëpunimi me Komisionin Evropian në kuadër të integrimit dhe përpjekjet e mazhorancës për arritjen e një marrëveshjeje për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it janë zhvillime mjaft pozitive.