E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Zgjidha e krizës, Rama të pranojë deklaratën e KiE


Në një konferencë për shtyp, të parën pas nisjes së grevës së opozitës, Berisha ka kërkuar që si zgjidhje të situatës politike, Rama të studiojë dhe pranojë deklaratën e dhënë nga Këshilli i Evropës . Në deklaratë KiE sugjeronte që përveç Gjykatës Kushtetuese, opozita t'i drejtohet Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion këshillues. Sipas Berishës kjo është rruga e vetme legjitime.
"Javën që shkoi Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës lëshoi një deklaratë të dytë e cila përbën bazën e shkëlqyer ligjore të zjgidhjes së kësaj çështjen. Ftoj Ramën të studiojë me vëmendje. Në KiE, Shqipëria përfaqësohet me mazhorancën e opozitën. Jam i bindur se ajo deklaratë dhe disponibiliteti që në këtë kuadër t'i jepet përgjigjeve të transparencës, është rruga e vetme legjitime", deklaroi ai. Po ashtu Berisha e ftoi Ramën që të jetë pjesë e komisionit hetimor, duke kujtuar se opozita ka shumicën dhe drejtimin aty.

Grevën e urisë së deputetëve të PS-së dhe mbështetësve të saj, Kryeministri Sali Berisha e ka cilësuar si një përpjekje të Ramës për të përmbysur vendimet e gjykatave me mjetet politike. "Kjo është në kundërshtim të hapur me themelet e një shoqërie të lirë. Vendimet e gjykatave mund të ndryshohen vetëm në gjykatë, me asnjë mjet tjetër. Qendroj i hapur dhe disponibël për transparencë të zgjedhjeve dhe çdo problemi që dëshiron opozita në përputhje me ligjet e Kushtetutën", tha ai. Kryeministri tha se greva është e paligjshme, pasi ka bllokuar rrugët.

Duke iu referuar edhe një herë, grevës së opozitës, Berisha tha se garantohet çdo formë e protestës paqësore. "Në këtë vend çdo qytetar, çdo forcë, organizatë, do ketë të garantuar lirinë e plotë për të gjitha format e protestave paqësore. Garantoj se si Kryeministër nuk humbas kurrë ndjeshmërinë njerëzore ndaj cilido që është në vuajtje. Duke shprehur keqardhjen për vendimin e dëshpëruar të zotit Rama kam porositur të gjitha institucionet që ndaj të ngujuarve të tregojnë respektin shëndetësore dhe të vendosin kontakte me drejtuesit e grevës për sigurinë e jetës së tyre", u shpreh kryeministri.

Në Ditën Botërore të Shtypit, Kryeministri Sali Berisha tha se viti që lamë pas ka qenë një vit i vështirë për mediat. "Mediat shqiptare kanë dhënë një kontribut të madh. Kanë përmbushur misionin e tyre, kanë konsoliduar fuqinë e tyre. Ky ka qenë një vit me ngjarje madhore në historinë e një vendi, në të gjitha këto, mediat kanë qenë në lartësinë e duhur në informimin e shqiptarëve", u shpreh ai. Berisha u shpreh se ndihet krenar që në mandatin e dytë qeveria nuk ka lejuar asnjë gjyq të administratës ndaj medias .
Kreu i qeverisë garantoi se qeveria është e gatshme të marrë çdo nismë ligjore që i shërben konsolidimin e pavarësisë së mediave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›