Berisha: Zgjidhëm financimin dhe ndërtimin e plotë të Rrugës së Arbrit
Kryeministri Berisha njoftoi dje se, pas një negociate të vështirë njëvjeçare, së shpejti do të nisë ndërtimi i 27 km të mbetura të Rrugës së Arbrit, me financime të plota të kompanisë ndërtuese kineze “CSCEC”, më e madhja në të gjithë botën. Ndërtimi i Rrugës së Dytë të Kombit ishte një nga premtimet kryesore të PD për 4 vitet e ardhshme
Kryeministri Sali Berisha informon, përmes faqes të tij zyrtare në “Facebook”, se kompania kineze e ndërtimit, “CSCEC”, ndër më të mëdhatë në botë, ka paraqitur një ofertë të leverdishme për përfundimin e 27 kilometrave të Rrugës së Arbrit, që kanë mbetur pa u ndërtuar, përfshirë këtu edhe tunelin e Qafë Murrizit dhe Urën e Vashës. Kreu i qeverisë tha se oferta në çdo aspekt është shumë e leverdishme, pasi shmang edhe rritjen e borxhit publik. “Zgjidhet financimi dhe ndërtimi i plotë i Rrugës së Arbrit. Rrugës së dytë të Kombit! Të dashur miq, pas mbi një vit tratativash me autoritetet kineze, kompania e ndërtimit nr.1 në Kinë, por dhe në botë CSCEC paraqiti një ofertë për ndërtimin e plotë të 27 km të rrugës së Arbrit që kanë mbetur pa ndërtuar përfshirë këtu tunelin e Qaf Murrizit dhe Urën e Vashës. Kompania do bëjë vetë financimin e plotë (koncesion) ose të pjesshëm të ndërtimit të rrugës me një kredi që qeveria kineze i akordon asaj për këtë vepër. Sipas një opsioni tjetër qeveria shqiptare mund të bëhet bashkëfinancuese me shumën 70 milion euro. Në të dy rastet pala shqiptare duhet të marrë përsipër pagesën e përvitshme të fitimit të munguar nga trafiku për vitet e nxjerrjes se investimit nga kompania”- deklaron kryeministri.
Berisha thekson se së shpejti do të hapet tenderi ndërkombëtar. “Oferta, në çdo aspekt, është shumë e leverdishme. Ajo nuk rrit borxhin publik. Mbi bazën e saj, sipas ligjit do hapet së shpejti tenderi ndërkombëtar”- tha ai, ndërsa e cilësoi rrugën e Arbrit si rrugën e dytë të kombit. “Me ndërtimin e tunelit të Murrizit distanca midis Shkupit dhe Tiranës shkurtohet me 103 km, kurse ajo midis Peshkopisë, Bulqizës dhe Tiranës bëhet përkatësisht 60 dhe 30 min”.