Italia i akordon Shqipërisë një fond prej 77.2 milion euro për realizimin e disa projekteve
Italia i akordon Shqipërisë një fond prej 77.2 milion euro për realizimin e disa projekteve, në kuadër të bashkëpunimit ekonomik. Ky vendim iu bë i njohur kryeministrit Sali Berisha nga ambasadori italian në Tiranë, Attilio Massimo Iannucci. Me anë të një letre, z.Iannucci i bën të ditur kryeministrit Berisha se Ministria e Punëve të Jashtme italiane ka miratuar projektet e bashkëpunimit me Shqipërinë, me një vlerë të përgjithshme prej 73.2 milion euro kredi e butë dhe 4.032 milion euro dhuratë. Projektet përfshijnë:
1. "Ristrukturimi dhe fuqizimi i sistemit elektrik shqiptar për integrimin e tij në sistemin ballkanik", për një shumë prej 51.5 milion euro në formën e kredisë së butë dhe 325 mijë euro dhuratë. Në kuadër të këtij projekti do të ndërtohen, në radhë të parë, linja e inetekonjuksionit prej 400 Kv nga Elbasani në Tiranë dhe nënstacioni elektrik në Tiranë (për një total prej 30 milion euro). Këto investime do të lejojnë lidhjen elektrike të Shqipërisë me Malin e Zi. Atyre u shtohet realizimi në Tiranë i qendrës së shpërndarjes dhe telekontrollit të sistemit elektrik kombëtar shqiptar (qendër dispeçerie) për një shumë prej 21.5 milion euro. Për të lejuar veprimtari të përbashkëta monitorimi dhe mbështetjeje në administrimin e këtyre sistemeve është miratuar një financim grant prej 325 mijë euro.
2. "Projektimi dhe ndërtimi i rrugës Shkodër-Hani i Hotit", me një shumë prej 21.7 milion euro në formën e kredisë së butë dhe 150 mijë euro dhuratë. Kjo ndërhyrje parashikon në radhë të parë projektimin dhe më pas realizimin e punimeve të zgjerimit të rrugës ekzistuese, që do të ndërtohet sipas parametrave të parashikuara nga Bashkimi Europian, duke ndihmuar në këtë mënyrë realizimin e një rrjeti rrugor kombëtar që lehtëson shkëmbimin e njerëzve dhe të mallrave me rajonin ballkanik.
3. "Kontributi i FAO-s për fuqizimin e strukturave shqiptare të ngarkuara të kryejnë kontrollin e ushqimeve", për një shumë prej 2 milion euro. Kjo nismë synon t'i japë sistemit agro-ushqimor modele teknologjike dhe administruese në gjendje të garantojnë respektimin e standarteve evropiane në sektorin e sigurisë ushqimore dhe të mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve shqiptare. Projekti parashikon ndërtimin e një laboratori qendror dhe të qendrave periferike për analizën e ushqimeve për t'u tregtuar në zonën e Bashkimit Europian, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut përcaktues në rritjen e eksporteve shqiptare në sektorin agro-ushqimor.
4. "Kontributi për mbrojtjen e ekosistemit detar shqiptar", për një shumë prej 271 mijë euro. Përmes asistencës së dhënë nga OJQ-ja italiane "GAO", administratat shqiptare kompetente dhe biologët do të mund të kenë mjetet e përshtatshme për të garantuar mbrojtjen e atyre burimeve marine, të domosdoshme për një administrim korrekt të ambientit detar në mbrojtje të zhvillimit të sektorit turistik shqiptar.
5. "Programi i zhvillimit të kultivimit të bletëve në rrethin e Lezhës", për një shumë prej 540 mijë euro. Ky projekt, me asitencën e OJQ-së italiane "UCODEP" synon të përmirësojë kushtet e jetës së popullsisë në rrethin e Lezhës përmes mbështetjes së kultivimit të bletëve si burim të ardhurash. Do të realizohet një konsorcium kultivuesish bletësh dhe mikro-ndërmarrje dhe do të zbatohen strategji për tregtimin e produkteve të apikulturës.
6. "Programi i mbështetjes sociale dhe ekonomike për shoqatat femërore në Shkodër", për një shumë prej 746 mijë euro. Përmes veprimtarisë së OJQ-së italiane "COSPE" do të përgatiten dhe zbatohen politika për forcimin e "Centro Donna" (Qendra e Gruas) në Shkodër dhe e Zyrës për Gratë në bashkinë e Shkodrës. Do të realizohen gjithashtu tre qendra në lagjet periferike e qytetit, ku do të ofrohen shërbimet shëndetësore bazë dhe do ndërtohen çerdhe e kopshte.