Berisha ankohet në Bruksel, kreu i PD: Zgjedhjet u vodhën, na ndihmoni në betejën tonë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ankua në Bruksel se zgjedhjet e 11 majit u vodhën. Në Samitin “International Democracy Union”, Berisha tha se gjatë fushatës në terren ishin bandat kriminale për të siguruar vota për Partinë Socialiste, duke shtuar se njerëzit më të votuar sot janë kandidatët e këtyre organizatave.
“Për të fituar, Kryeministri e ktheu të gjithë administratën dhe shtetin në një makineri të madhe elektorale. U përdorën mjete publike financiare për të blerë vota. Konkretisht, çdo pensionisti iu dha 100 euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri. Por, zonja dhe zotërinj, pensionistët përbëjnë sot 48% të elektoratit në Shqipëri, pasi në 10 vjet janë larguar rreth 600,000 të rinj. Po ashtu, dy ditë para zgjedhjeve, Kryeministri shpalli një amnisti për të gjitha gjobat dhe interesat 10-vjeçare, me një total mbi 200 milionë euro. Punonjësit e administratës publike u vunë nën presion, u kërkua që secili të siguronte 10 vota nga familja dhe rrethi i tij. Ata u përdorën si patronazhistë në një sistem të vjetër diktatorial stalinist, ku votuesit kontrolloheshin në çdo mënyrë dhe pranë qendrave të votimit u ngritën zyra për të ushtruar presion”, tha Berisha.
Kërkesa e Berishës për ndërkombëtarët është që ta mbështesin në betejën që, sipas tij, ai po bën për votën e lirë.
“Jemi mirënjohës që këto veprime janë reflektuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë si: OSBE, Parlamenti Europian dhe Këshilli i Europës, të cilët nxorën një raport shumë serioz. Z. President, zgjedhjet ishin farsë. Nëse nuk u kthejmë të drejtën për të votuar shqiptarëve, vendi po zhduket. Sipas Eurostat, në 10 vitet e fundit, mbi 1,099,000 shqiptarë janë larguar drejt Bashkimit Europian. Faleminderit edhe një herë për mbështetjen shumë të çmuar që keni treguar. Kërkoj sërish mbështetje nga qeveritë që kombi im të mund të votojë i lirë”, tha kreu i PD-së.
Solidariteti ndërkombëtar, shtoi Sali Berisha, është vendimtar që opozita të triumfojë në përpjekjet e saj përballë mazhorancës socialiste./vizionplus.tv