Berisha arrin 320 mijë fansa në ditën e 27-të të çeljes së faqes zyrtare
2 milionë klikime në javë në faqen e Kryeministrit Sali Berisha në Facebook
Kryeministri Sali Berisha falënderon të gjithë “miqtë” e tij në rrjetin social Facebook, teksa faqja e tij numëron plot 320 mijë ndjekës në vetëm 27 ditë nga lançimi i saj. Statistikat flasin se faqja e kryeministrit është më e klikuara për momentin në Shqipëri, duke arritur deri në 2 milionë klikime në javë.
Kryeministri përshëndeti përmes një statusi, të gjithë ndjekësit e tij, duke vlerësuar mendimet dhe propozimet e tyre në bashkëbisedimet aktive me ta.
“Të dashur miq. Në sot në ditën e 27 të lindjes së rrjetit tonë në Facebook u bëmë 320 mijë miq nga Shqipëria dhe mbarë bota. Ky është një sukses i vërtetë që na bënë ne krenarë me njëri-tjetrin. Kjo sepse ne, në një hark kohor të shkurtër, ia dolëm të krijojmë rrjetin social më aktiv, më intensiv, më të besueshëm, më të hapur dhe më të bukur se çdo rrjet tjetër i këtij lloji. Këtë e provojnë qartë statistikat e rrjetit tonë të përbashkët, i cili në një javë shihet nga 1.5 deri në 2.05 milionë njerëz, kurse numri i atyre që flasin për të luhatet nga 81 në 184 mijë, ndërsa numri i miqve të fansave të rrjetit tonë i kalon mbi 10.9 milionë. Merita është e juaja, e gjithsecilit prej jush. Ju me pasionin, sinqeritetin, idetë, mendimet, qortimet, shqetësimet, vlerësimet, opinionet dhe propozimet tuaja me shpejtësi marramendëse e shndërruat rrjetin tonë në një mega-magnet të llojit të vet të paparë. Faleminderit shumë! Ndihem krenar që jam njeri prej jush. Gëzuar të gjithëve!”, mbyll urimin e tij për miqtë në Facebook, Kryeministri Sali Berisha.