E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha asnjë fjalë për kritikat e forta të Brukselit, flet për dhunën në familje

Kryeministri i vendit Sali Berisha ka mbledhur dje qeverinë dhe kur pritej që ai të komentonte situatën aspak pozitive në të cilën qeveria e tij ndodhet në raport me Brukselin, ai ka folur për dhunën në familje dhe për projektet për nxitjen e biznesit të romëve. Ndërkohë që zyrtarët më të lartë të BE-së kanë kërkuar prej qeverisë së tij që të kontribuojë në zgjidhjen e krizës dhe i kanë bërë të qartë se vendi rrezikon seriozisht integrimin, Berisha preferon të heshtë. Veshi shurdh i kryeministrit shqiptar ka nisur kohë më parë që kur BE i mohoi Shqipërisë të drejtën për statusin e vendit kandidat. Në atë kohë Berisha zgjodhi të fliste për kultivimin e pemëve frutore, ndërsa dje u bë partizan i flaktë i të drejtave të grave. Duke folur para ministrave të tij ai ka përcaktuar si shkaktarin kryesor të mos ekzistencës së barazisë gjinore patriarkizmin në familje dhe shoqëri, kryeministri tha se duhet të merren masa për mbështetjen profesionale të gruas. Theksoj se kjo barazi nënkupton barazinë në burime dhe përfitimet, pabarazia e cila  është reale në këtë fushë. Në Shqipëri për të njëjtin vend pune si rregull gratë dhe burrat kanë të njëjtën pagesë, por kur vjen puna tek shpërdarja e vendeve të punës ajo është e pabarabartë,- theksoi Berisha. Sipas kryeministrit gjatë vitit 2005 diferenca e pagesës midis burrave dhe grave ka qënë e madhe, por tashmë falë ndërhyrjes së qeverisë ajo është ulur ndjeshëm. Kryeministri gjithashtu shprehu gadishmërinë që qeveria do të tregojë ndaj komunitetit të romëve dhe egjiptianëve si formë e ndalimit të dikriminimit ndaj tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›