Kolegji Zgjedhor zbardh vendimin: Numërim fletëve të hedhura gabim dhe kur janë cilësuar të pavlefshme
(E PLOTE) Kolegji Zgjedhor, ndryshe nga sa veproi herën e kaluar, kësaj here ka zbardhur brenda tre ditësh vendimin e tij. Që në fillim Kolegji ka vlerësuar se KQZ ka shkelur Kodin Zgjedhor e Kushtetuën duke hapur vetëm disa kuti votimi për të nxjerrë prej andej fletët e kontestuara për ti përfshirë në rezultat.
Kolegji ka urdhëruar një hetim të plotë, çka nënkupton sipas tyre që do të hapen të gjitha kutitë dhe do vlerësohen të gjitha fletët pavarësisht zarfit ku ndodhen. Në këtë mënyrë Kolegji vlerëson se do arrihet të zgjidhet edhe çështja e mospërputhjes së votave me numrin e votuesve.
Në këtë kuptim, hetimi administrativ nëpërmjet hapjes, këqyrjes dhe vlerësimit të të gjitha fletëve të hedhura jo në kutinë përkatëse, pavarësisht nga zarfi ku ndodhen (zarfi fletëve të kontestuara apo të pavlefshme) pavarësisht faktit nëse ka apo jo shënime në librat e protokollit të KZAZ-ve që reflektojnë mosmarrëveshjet në vendimmarrje në lidhje me këtë fletë, i shtrirë në 117 kuti tashmë duhet të shtrihet në diferencën e QV-ve midis zonës së nënshtruar pjesërisht hetimit administrativ dhe pjesës së mbetur të QV-ve në zonën zgjedhore të Bashkisë së Tiranës, që përfaqëson 368 QV të patrajtuara më parë, ose dhe më gjerë, thuhet në vendimin e Kolegjit.
Ky hetim i plotë duhet të kryhet në të gjitha kutitë e votimit, kutia e votimit për kryetarin e bashkisë, këshillin bashkiak, kryetarin e njësisë bashkiake dhe këshillin e njësisë bashkiake dhe do të përfshijë fletët e votimit të hedhura jo në kutinë përkatëse, të veçuara qoftë në zarfat e fletëve të kontestuara apo të pavlefshme, pavarësisht nga vendndodhja e tre, zarfi i fletëve të votimit të pavlefshme ose të kontestuara. Procedurë kjo, e cila është ndjekur nga vetë KQZ për aq sa ajo ka hetuar, vijon më tej vendimi.
Vetëm përmes një hetimi të plotë administrativ dhe verifikimit të lëvizjes së fletëve do të mundësohet zgjidhja e mospërputhjes së të dhënave në tabelën përmbledhëse dhe leximin e të gjitha votave pavarësisht se për kë janë hedhur.
Zbardhjes së këtij vendimi i kanë paraprirë deklaratat e kryetarit të KQZ, Arben Ristani, që me krenari është shprehur se nuk do ndryshojë gjë në rezultat. Kjo për shkak se sipas tij, KQZ ka parë në të gjitha kutitë për ato që quhen fletë të kontestuara, dhe ato që ishin i ka nxjerrë jashtë.
Por Kolegji duket se ka ndryshuar pritshmëritë e tij. Në vendimin e zbardhur thuhet se duhet një hetim i plotë për të gjitha kutitë e Tiranës, për të futur në rezultat edhe ato vota të hedhura gabim, por që janë cilësuar si të pavlefshme.
Përse ka ndodhur që këto vota janë cilësuar të pavlefshme? Sepse ky ka qenë udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili u kishte thënë numëruesve se këto vota janë të pavlefshme. Por më pas disa vota nga ato të hedhura gabim u cilësuan si të pavlefshme dhe rezultati në Tiranë ndryshoi.
Kolegji ka urdhëruar një hetim të plotë administrativ për Tiranën, megjithatë nuk dihet se çfarë do të dalë nga kutitë përsa kohë kemi parë me qindra fletë votimi më shumë se votues.
Por padia e dytë e PS dhe vendimi i Kolegjit për të shpallur të vlefshme këto vota ndryshuan shumë gjëra dhe sollën në këtë lëmsh administrativ, që pritet të zbardhet, ose më mirë shpresohet të zbardhet në ditët në vijim.
Presioni i madh ndërkombëtar nuk bëri punë mbi KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor, por duket se së fundmi ndërkombëtarët kanë vendosur ti thonë vetë gjërat hapur. Nuk dihet se çdo përmbajë raporti i ODIHR, por kryetari i KQZ me shumë gjasë do jetë në qendër të vëmendjes për veprimet e tij, të cilat edhe nga vetë Departamenti i Shtetit u cilësuan si të dyshimta. Ndërkohë vetë Ristani ka pranuar mbrëmë se nëse do ketë kritika ndaj tij, ai do japë dorëheqjen. Kjo e fundit nuk do ndryshojë asgjë në integritetin e këtij procesi.