E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksioni opozitar dhe zgjedhjet brenda PS-së, Rama mbledh Asamblenë të shtunën

Partia Socialiste nis organizimin e saj për të vendosur aksionin opozitar si dhe hap fushatën zgjedhore brenda partisë. Kryetari Edi Rama ka thirrur Asamblenë të shtunën

Partia Socialiste do të mbledhë të shtunën Asamblenë Kombëtare të partisë për të vendosur axhendën e saj politike të mëtejshme. Gjithashtu ky forum i lartë vendimmarrës do të hapë fushatën zgjedhore brenda partisë, e cila do të rinovojë strukturat e saj nga baza në qendër përveç kryetarit të partisë, i cili u rikonfirmua vetëm dy vjet më parë, fill pas zgjedhjeve të vitit 2009. Siç bëjnë të ditur burime zyrtare nga selia rozë Asambleja është thirrur nga kryesocialisti Rama në fundjavë dhe pritet që të marrë në shqyrtim këto dy çështje të rëndësishme për këtë parti. Asambleja mblidhet për herë të parë pas zgjedhjeve të 8 majit ku socialistët fituan një pjesë të madhe të bashkive e komunave në vend, por janë akoma të pasigurt për Bashkinë e kryeqytetit, e cila dhe pse u fitua nga kryetari i tyre Rama me diferencë vetëm 10 vota, pas ndërhyrjes së KQZ-së iu dha fitorja kundërshtarit të tij politik. Rezultati vazhdon të mbetet i hapur për shkak të vendimit të fundit të Kolegjit Zgjedhor që kërkon hapje të kutive të tjera për numërimin e votave të kontestuara. Duke qenë se çështja është ende në instancat ligjore socialistët nuk kanë vendosur akoma për nisjen e protestave qytetare kundër qeverisë, të cilës ata i faturojnë akuzën e vjedhjes në tavolinë të mandatit të Tiranës. Ndërkohë zgjedhjet në parti nuk mund të presin. Sipas statutit të kësaj partie ky vit është një vit elektoral për socialistët, të cilët do të përfshihen në zgjedhjet e strukturave të reja drejtuese nga qendra deri në bazë. Kështu, të shtunën pritet që Asambleja të vendosë nisjen e zgjedhjeve në parti, nga të cilat pritet të dalë një kryesi e re, një asamble e re dhe një kongres i ri socialist. Këto forume të reja do të jenë dhe mënyra më e mirë që Rama të spastrojë prej tyre kundërshtarët e tij brenda partisë, të cilët për hir të së vërtetës i kanë bojkotuar mbledhjet e kryesisë e Asamblesë prej shumë kohësh. Bëhet fjalë për Andis Harasanin e Kastriot Islamin të cilët nuk i janë bindur as vendimit të fundit të partisë për bojkot të Kuvendit dhe janë shprehur hapur kundër vendimeve politike të PS-së. Ndërsa kundërshtarët e tjerë të Ramës pas zgjedhjeve të 2009-ës Ben Blushi e Arben Malaj janë tërhequr nga lufta politike e brendshme dhe po mbajnë qëndrime konform vendimeve të partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›